Eksportet e mallrave shënuan rritje me 1.8% në prill
2024-05-21 09:55:25

Foto nga VCG

Në raportin për tregtinë e jashtme, të publikuar nga INSTAT-i, eksportet e mallrave në muajin prill arritën në 35 miliardë lekë, duke shënuar rritje me 1.8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, njofton “ATSH”. Në krahasim me marsin e këtij viti ato janë rritur dhe 3.9%.

Sipas raportit, janë rritur edhe importet e mallrave. Ato arritën vlerën e 75 miliardë lekë, duke u rritur me 0.6%, në krahasim me një vit më parë dhe po aq, në krahasim me marsin 2024.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 41 miliardë lekë, duke u ulur me 0.3%, krahasuar me prillin e 2023-shit dhe me 2% në krahasim me marsin 2024.

Gjatë muajit prill, në rritjen e eksporteve kanë ndikuar grupet “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 4.6 pikë përqindje, “ushqime, pije, duhan” me 1.3 pikë përqindje dhe “produkte kimike dhe plastike” me 0.5 pikë përqindje.

Negativisht kanë ndikuar grupet “tekstile dhe këpucë” me 3.1 pikë përqindje, dhe “materiale ndërtimi dhe metale” me 0.6 pikë përqindje. (Fatosi)