Aksi rrugor Thumanë-Kashar drejt përfundimit
2024-05-21 13:05:03

Foto Reporttv

Foto Reporttv

Në kantierin e segmentit rrugor Thumanë-Kashar, ndër më të rëndësishmit e Korridorit Blu, po punohet me ritme të shpejta për të siguruar përfundimin e këtij aksi më 30 qershor, njofton “ATSH”.

Thumanë-Kashar ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe aktualisht punimet janë përqendruar në 3 kilometrat e fundit të kësaj vepre, pasi mbi 18 km janë asfaltuar.

Ky është segmenti i parë i Korridorit Blu që qeveria do të dorëzojë, ndërsa është në fazë negocimi për sa i përket dy segmenteve të tjera Kashar-Lekaj dhe më pas Lekaj-Fier.

Loti nga Thumana deri në Milot është në fazë negocimi, ndërsa po punohet për të hapur garën për Milot-Balldren.

Thumanë-Kashar përmban disa vepra, 11 ura, 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime, si dhe ndërtimin e dy nyjeve të mëdha me dalje në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” e Rinasit dhe nyjën e Kasharit, ku bëhet edhe lidhja me aksin rrugor Tiranë-Durrës.