Berati tejmbushet me turistë
2024-05-20 15:59:12

Turistë në Berat (Foto RTSH)

Turistë në Berat (Foto RTSH)

Fundjava në qytetin muze të Beratit ka qenë e tejmbushur me turistë, vendas e të huaj, shkruan RTSH.  Edhe pse viti 2023 u cilësua si viti më i suksesshëm për turizmin në Berat, ky vit duket edhe më i mbarë.

 

Turistët thonë se Berati është një qytet i mrekullueshëm, me vepra arti të rralla, me shtëpi karakteristike, me dritare njëra mbi tjetrën, një qytet i pastër dhe me njerëz të dashur e mikpritës. Disa nga vendet më të frekuentuara nga turistët janë dy lagjet muzeale "Mangalem" e "Goricë", pjesë e UNESCO-s.

 

Kalaja e qytet dhe Muzeu Ikonografik "Onufri", që shpalos në ikonat e tij bashkëjetesën fetare ndër shekuj, mbeten vendet më të frekuentuara nga turistët edhe për këtë vit. Muzeu "Onufri" është vizituar nga mbi 23 mijë turistë, gati dyfishi i numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar

 

Të gjithë vizitorët mund ta prenotojnë online biletën e muzeut, ndërsa në brendësi të tij ata mund të njihen me veprat e ekspozuara me anë të një shërbimi audio në dhjetëra gjuhë të botës.(Fatosi)