U mbajt në Nju-Jork dialogu global “Mundësitë globale nga thellimi i reformës së Kinës në epokën e re”, i organizuar nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG). Në këtë veprimtari kryetari i CMG-së Shen Haixiong dhe ambasadori i Kinës në ShBA Xie Feng mbajtën fjalime përmes videos. Robert Kuhn, fitues i Medaljes së Miqësisë të Reformës të Kinës dhe kryetar i Fondacionit “Kuhn” të ShBA-së, si dhe Stephen Kennedy, anëtar i Fondacionit “Kennedy”, ishin gjithashtu të pranishëm dhe mbajtën fjalime.
Në dialog morën pjesë rreth 100 të ftuar nga institutet e studimit të politikave, qarqet e biznesit dhe akademike të ShBA-së, të cilët diskutuan mbi mundësitë e ofruara nga thellimi i reformave të Kinës dhe modernizimi i stilit kinez, për zhvillimin e përbashkët dhe përparimin e qytetërimit njerëzor në të gjitha vendet.
Në fjalimin e tij, kryetari i CMG-së Shen Haixiong theksoi se plenumi i tretë i Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së është një pikë kyçe për Kinën në epokën e re. Presidenti Xi Jinping ka theksuar: “Reforma dhe hapja janë një revolucion i dytë për Kinën, që jo vetëm ka ndryshuar thellësisht Kinën, por gjithashtu ka ndikuar thellësisht mbi botën.” Thellimi i reformës në epokën e re është një hap kyç për të çuar përpara përtëritjen kombëtare dhe për fuqizimin e vendit dhe gjithashtu do të ofrojë mbështetje të re për eksplorimin e rrugëve të modernizimit dhe sistemeve më të mira shoqërore për njerëzimin, si edhe do të sjellë mundësi e energji të reja për zhvillimin e vendeve të tjera.
Robert Kuhn nga ana e tij u shpreh se plenumi i tretë i Komitetit të 20-të të PKK-së ka dërguar një sinjal të qartë mbi angazhimin e palëkundur të Kinës për reforma dhe hapje. Kina po nxit zhvillimin me cilësi të lartë dhe modernizimin falë forcave të reja prodhuese cilësore dhe ka krijuar plane afatgjata me objektiva të qartë reformash. Si dëshmitar dhe studiues i luftës së Kinës kundër varfërisë, ai ka besim të plotë në zhvillimin e ardhshëm të Kinës. Zhvillimi i Kinës ka sjellë përfitime të ndjeshme për bashkësinë ndërkombëtare, dhe një Kinë e zhvilluar dhe e qëndrueshme do të tërheqë më shumë investime të huaja.
Ndërsa Stephen Kennedy tha se, si anëtar i familjes Kennedy, ai e ndien rëndësinë e komunikimit dhe të dialogut në zhvillimin e marrëdhënieve ShBA-Kinë. Presidenti Xi Jinping ka theksuar gjatë vizitës së tij në ShBA në vitin 2023 që, nëse të dy palët ndjekin parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, të dy vendet mund të tejkalojnë mosmarrëveshjet dhe të gjejnë mënyrën e duhur për bashkëjetesë midis vendeve të mëdha. Ndërveprimi aktiv i niveleve të larta mes të dy vendeve ka hedhur një bazë të mirë për zhvillimin e marrëdhënieve ShBA-Kinë dhe palët duhet të vazhdojnë të çojnë përpara bashkëpunimin praktik për të arritur përfitime të ndërsjella.
Dialogu global “Mundësitë globale nga thellimi i reformës së Kinës në epokën e re”, i organizuar nga CMG-ja, është zhvilluar ditët e fundit ose do të zhvillohet në disa vende të Evropës, Lindjes së Mesme, Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë Juglindore.(Li Huailiang/Artan)