Ministrat e jashtëm të Kinës dhe Ukrainës shkëmbejnë mendime për krizën në Ukrainë
2024-07-25 15:56:33

Ministrat e jashtëm të Kinës dhe Ukrainës shkëmbyen të mërkurën mendime mbi krizën në Ukrainë gjatë një takimi mes tyre në Guangzhou të Kinës Jugore.

Kina ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të promovuar një zgjidhje politike të krizës, tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK).

Duke vënë në dukje se kriza e Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë, Wang shtoi se ekzistojnë rreziqe për përshkallëzimin dhe përhapjen e konfliktit.

Ai theksoi se katër parimet e propozuara nga presidenti kinez Xi Jinping përbëjnë qëndrimin themelor të Kinës për të gjetur zgjidhje për krizën në Ukrainë.

Ministria e Jashtme e Kinës

Ministria e Jashtme e Kinës

Xi i parashtroi parimet në një samit virtual me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në mars 2022. Këto parime janë: sovraniteti e integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohen, qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara duhet të vihen plotësisht në jetë, shqetësimet e ligjshme të sigurisë të të gjitha vendeve duhet të mbahen parasysh seriozisht e duhet të përkrahen tërë përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës.

Wang vuri në dukje gjatë takimit me homologun ukrainas që, bazuar në këto parime, Kina dhe Brazili kanë hartuar së bashku një konsensus prej gjashtë pikash për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës, duke përfshirë tre parime për menaxhimin e konfliktit, tre elemente për një plan paqeje, tre shqetësime humanitare, si edhe masa të rëndësishme për të parandaluar rreziqet bërthamore e për të siguruar qëndrueshmërinë e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit.

Kreu i diplomacisë së Kinës tha se konsensusi ka marrë mbështetje dhe përgjigje të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar.

Pala kineze beson se të gjitha konfliktet duhet të zgjidhen në tryezën e negociatave dhe të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me anë të mjeteve politike, tha ai.

Wang vuri në dukje më tej se Rusia dhe Ukraina së fundmi, në mënyra të ndryshme, kanë treguar gatishmëri për negociata.

"Megjithëse kushtet dhe koha nuk janë pjekur ende, ne mbështesim të gjitha përpjekjet në favor të paqes dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë të luajmë një rol konstruktiv në sigurimin e një armëpushimi, promovimin e përfundimit të armiqësive dhe rifillimin e bisedimeve të paqes," tha ai.

Kina është e shqetësuar për situatën humanitare në Ukrainë e do të vijojë të ofrojë ndihmë materiale humanitare, shtoi Wang.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba theksoi se Ukraina e vlerëson lart rolin pozitiv e konstruktiv të Kinës në promovimin e paqes dhe në ruajtjen e rendit ndërkombëtar, u kushton rëndësi të madhe pikëpamjeve të palës kineze dhe e ka studiuar me kujdes konsensusin prej gjashtë pikash të propozuar nga Kina e Brazili për zgjidhjen politike të krizës..

Pala ukrainase është e gatshme të angazhohet në dialog e negociata me palën ruse, tha Kuleba.

“Sigurisht, negociatat duhet të jenë të arsyeshme e thelbësore, për arritjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme," theksoi kreu i diplomacisë së Ukrainës, i cili ndodhet për një vizitë katërditore në Kinë që filloi të martën.

Marrëdhënie të shëndosha Kinë-Ukrainë

Gjatë bisedimeve, Wang theksoi se Kina dhe Ukraina duhet të forcojnë bashkëpunimin praktik në fusha të ndryshme.

Duke vënë në dukje se plenumi i 3-të i KQ të 20-të të PKK-së ka nisur një raund të ri të thellimit të gjithanshëm të reformës, ai tha se promovimi gjithëpërfshirës i modernizimit kinez do të sjellë mundësi të reja për popujt e të gjitha vendeve.

Ministria e Jashtme e Kinës

Ministria e Jashtme e Kinës

Ukraina ishte një nga vendet e para që mbështeti dhe mori pjesë në nismën "Një brez, një rrugë", theksoi kryediplomati i Kinës.

Ai tha se Kina ka qenë partnerja më e madhe tregtare e Ukrainës dhe destinacioni më i madh i eksportit për produktet bujqësore ukrainase në vitet e fundit, duke shtuar që në gjysmën e parë të vitit 2024, vëllimi i tregtisë dypalëshe shënoi një vrull rritjeje të shpejtë, duke treguar hapësirën dhe potencialin e bashkëpunimit dypalësh.

Të dy vendet duhet të shfrytëzojnë rolin e mekanizmave të bashkëpunimit dypalësh dhe të forcojnë bashkëpunimin praktik në fusha të ndryshme, tha Wang, duke shtuar se Kina do të vazhdojë të zgjerojë importet e drithërave nga Ukraina, duke ruajtur së bashku funksionimin e lirshëm të kanaleve logjistike dhe sigurinë ushqimore ndërkombëtare.

Wang e falënderoi palën ukrainase për ndihmën në evakuimin e shtetasve kinezë, veçanërisht të studentëve, në fazën e hershme të konfliktit dhe shprehu shpresën se Ukraina do të vazhdojë të marrë masa efektive për të garantuar sigurinë e personelit dhe institucioneve kineze në Ukrainë.

Kuleba theksoi nga ana e tij që Kina është një vend i madh dhe se Ukraina e Kina nuk janë vetëm partnere strategjike, por edhe partnere te rëndësishme ekonomike dhe tregtare.

Ai tha se pala ukrainase e mbështet pozicionin e Kinës në çështjen e Tajvanit dhe do të vazhdojë t'i përmbahet politikës së "një Kine".

Pala ukrainase shpreson të zbatojë së bashku me palën kineze konsensuset e rëndësishme të arritura prej të dy krerëve të shtetit, të konsolidojë besimin e ndërsjellë politik, të aktivizojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonominë, tregtinë e bujqësinë, dhe të forcojë shkëmbimet ndërmjet qyteteve binjake të të dy vendeve.