Komiteti i Përhershëm i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së mbajti të enjten një mbledhje për të diskutuar dhe për të organizuar punën për parandalimin dhe menaxhimin e përmbytjeve dhe ndihmën pas fatkeqësisë. Mbledhjen e drejtoi Sekretari i Përgjithshëm i PKK-së Xi Jinping, i cili mbajti edhe një fjalim të rëndësishëm.

foto: VCG
Në mbledhje u theksua se këtë vit klima në Kinë është më e paparashikueshme, me shumë reshje të dendura e të zgjatura. Lumenjtë kanë përjetuar përmbytje të hershme e të shpejta dhe disa zona janë goditur në mënyrë të përsëritur nga reshjet e dendura, duke e bërë situatën e parandalimit dhe menaxhimit të përmbytjeve të ndërlikuar e të vështirë. Nën udhëheqjen e fortë të Komitetit Qendror të PKK-së, me shokun Xi Jinping në krye, komitetet e partisë dhe organet e pushtetit në të gjitha nivelet kanë reaguar me shpejtësi dhe kanë marrë të gjitha masat. I gjithë populli ka punuar i bashkuar për të krijuar një mbrojtje të fortë, duke arritur rezultate të rëndësishme në parandalimin dhe menaxhimin e përmbytjeve dhe ndihmën pas fatkeqësisë.

foto: VCG
Në mbledhje u tha gjithashtu se Kina gjendet në periudhën kritike të parandalimit të përmbytjeve të muajve korrik dhe gusht. Presioni për të parandaluar përmbytjet dhe për të menaxhuar ujërat e brendshme në lumenjtë kryesorë, si Jance, mbetet i lartë. Lumenjtë si Lumi i Verdhë, Huaihe, Haihe dhe Songliao mund të pësojnë përmbytje më të rënda, duke u përballur edhe me periudhën aktive të tajfuneve. Situata e parandalimit të përmbytjeve bëhet edhe më e ndërlikuar dhe më e vështirë. Zonat, departamentet dhe njësitë e përfshira duhet të mbajnë gjithmonë në mendje rëndësinë e parandalimit të përmbytjeve, të marrin masa për të kontrolluar situatën dhe të luftojnë me vendosmëri për të fituar betejën e parandalimit të përmbytjeve dhe ndihmës pas fatkeqësisë.

foto: VCG
Sipas mbledhjes, është me rëndësi që të vendoset siguria e jetës së njerëzve në plan të parë, të përmirësohen mjetet e monitorimit dhe të rritet saktësia e paralajmërimeve. Gjithashtu, duhet të forcohet lidhja ndërmjet paralajmërimit e përgjigjes emergjente, për të rritur shpejtësinë e reagimit.

foto: VCG
Mbledhja kërkoi gjithashtu që të zhvillohen me të gjitha forcat operacionet e shpëtimit dhe ndihmës pas fatkeqësisë. Duhet të forcohet koordinimi dhe përgatitja paraprake, të ndahen fondet e ndihmës dhe të transportohen materialet e ndihmës sa më shpejt të jetë e mundur, të përshpejtohet pagesa e sigurimeve dhe të sigurohet strehimi i duhur i njerëzve të prekur nga fatkeqësia. Është e nevojshme po ashtu që të përmirësohen masat për parandalimin dhe zvogëlimin e dëmeve bujqësore, për të garantuar sigurinë ushqimore të vendit, të forcohet ndërtimi i kapaciteteve të mbështetjes emergjente dhe të rritet aftësia e qyteteve për të menaxhuar përmbytjet e ujërat e brendshme, duke përmirësuar vazhdimisht aftësinë e tërë shoqërisë për të zvogëluar rreziqet dhe pasojat. (Li Huailiang/Artan)
