Pse po ndodh pajtimi i brendshëm palestinez në Pekin?
2024-07-24 13:02:07


Foto nga MPJ

Të martën, në Pekin, kauza e çlirimit të Palestinës arriti një moment të rëndësishëm historik - pas tre ditësh dialogu pajtimi të brendshëm, 14 fraksione palestineze nënshkruan së bashku "Deklaratën e Pekinit për përfundimin e ndarjes dhe forcimin e unitetit kombëtar palestinez". Deklarata e bëri të qartë se Organizata për Çlirimin e Palestinës (OPP) është përfaqësuesja e vetme e ligjshme e popullit palestinez dhe shpalli se u arrit konsensus për qeverisjen e pasluftës të Gazës dhe formimin e qeverisë së përkohshme të pajtimit kombëtar.

Ky është një pajtim i arritur me vështirësi dhe një hap i rëndësishëm drejt arritjes së paqes në Lindjen e Mesme, duke sjellë shpresë për popullin e vuajtur palestinez. Mahmoud al-Aloul, kreu i delegacionit të Fatahut, dhe Mussa Abu Marzuk, kreu i delegacionit të Hamasit, mbajtën fjalime në emër të fraksioneve palestineze. Ata falënderuan Kinën për mbështetjen e qëndrueshme e vetëmohuese ndaj Palestinës dhe vlerësuan mbështetjen e drejtësisë lidhur me çështjen palestineze nga Kina në komunitetin ndërkombëtar. Stacioni televiziv i Arabisë Saudite, "Al Arabiya", komentoi se veprimet diplomatike të Kinës demonstrojnë përgjegjësi dhe janë "të admirueshme".

Foto nga MPJ

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u shpreh të martën se Kina propozon një qasje me tre hapa për zgjidhjen e çështjes palestineze.

Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i tha këto gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e mbylljes së dialogut të pajtimit midis fraksioneve palestineze. Ai ishte i pranishëm gjithashtu në nënshkrimin e deklaratës për përfundimin e ndarjes dhe forcimin e unitetit nga 14 fraksionet palestineze.

Duke vënë në dukje se çështja palestineze është në thelb të çështjes së Lindjes së Mesme, Wang tha se Kina nuk ka asnjë interes vetjak në lidhje me këtë çështje. Kina ishte një nga vendet e para që njohu Organizatën për Çlirimin e Palestinës dhe shtetin e Palestinës e gjithmonë e ka mbështetur me vendosmëri popullin palestinez në rivendosjen e të drejtave të tij të ligjshme kombëtare.

Wang tha se konflikti në Gazë po vazhdon të zvarritet dhe ndikimi i tij po përhapet. "Për të dalë nga gjendja e vështirë e konfliktit, Kina propozon një qasje me tre hapa," shtoi ai.

Hapi i parë është promovimi i një armëpushimi gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm në Rripin e Gazës sa më shpejt të jetë e mundur dhe sigurimi i ndihmës humanitare dhe i marrjes së ndihmave. Komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet më tej për çështjen e armëpushimit.

Hapi i dytë është mbështetja e parimit "qeverisje e Palestinës nga palestinezët" dhe bashkëpunimi për të promovuar qeverisjen e pasluftës në Gazë. Gaza është një pjesë e pandashme dhe e rëndësishme e Palestinës dhe fillimi i rindërtimit të pasluftës sa më shpejt të jetë e mundur është bërë një çështje urgjente në fazën tjetër. Komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë fraksionet palestineze në formimin e një qeverie të përkohshme me konsensus kombëtar, për të menaxhuar në mënyrë efektive Gazën dhe Bregun Perëndimor.

Hapi i tretë është promovimi i Palestinës që të bëhet anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara dhe fillimi i zbatimit  të zgjidhjes me dy shtete. Duhet të mbështetet një konferencë ndërkombëtare paqeje më domethënëse, më autoritare e më efektive dhe duhet të hartohet një plan kohor e udhërrëfyes për të.

Wang tha se armëpushimi dhe ndihma humanitare janë përparësia kryesore, "qeverisje e Palestinës nga palestinezët" është parimi bazë i rindërtimit të pasluftës në Gazë dhe zgjidhja me dy shtete është rruga themelore për të ardhmen. "Komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë palët e interesuara në zbatimin e qasjes me tre hapa me një qëndrim serioz," theksoi ai.