Zhvillohet tryeza e rrumbullakët “Mundësitë globale nga thellimi i reformës së Kinës në epokën e re” ndërmjet Italisë, Gjermanisë dhe Francës
2024-07-25 21:15:34

U zhvillua kohët e fundit tryeza e rrumbullakët “Mundësitë globale nga thellimi i reformës së Kinës në epokën e re” ndërmjet Italisë, Gjermanisë dhe Francës. Ky dialog është organizuar nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG). Pjesëmarrësit nga qarqet politike, të biznesit, akademike e mediatike të Italisë, Gjermanisë e Francës diskutuan mbi ndikimin e madh të plenumit të tretë të Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së në botë, shkëmbimet kulturore dhe mësimin e ndërsjellë midis qytetërimeve kineze dhe evropiane, si edhe mundësitë e reja të sjella nga thellimi i reformave në Kinë për bashkëpunimin Kinë-BE etj.

Ish-ministri i Drejtësisë i Italisë dhe dekani i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Romës, Oliviero Diliberto, deklaroi se bota e sotme përballet me shumë sfida dhe nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar. Plenumi i tretë i Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së theksoi se “modernizimi i stilit kinez ndjek rrugën e zhvillimit paqësor”, çka ka rëndësi konkrete dhe ndikim të thellë.

Kryetari i Federatës së Shoqatave të Miqësisë Gjermano-Kineze, Peter Kreutzberger, vuri në dukje se Kina promovon aktivisht idenë e globalizimit ekonomik gjithëpërfshirës dhe thekson përkushtimin për të forcuar aftësinë e hapjes në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke treguar vendosmërinë e saj për të thelluar reformat dhe për të zgjeruar hapjen.

Margit Molnar, drejtoresha e Zyrës së Kërkimeve të Politikës Ekonomike të Kinës në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), theksoi se Kina ka bërë një planifikim të qartë për të nxitur modernizmin e stilit kinez dhe për të thelluar më tej reformat. Masat si pakësimi i kufizimeve për hyrjen e investimeve të huaja dhe thellimi i reformave në sistemin fiskal e të taksave do ta ndihmojnë ekonominë kineze të arrijë një rritje të qëndrueshme e me cilësi të lartë.

Dialogu global  “Mundësitë globale nga thellimi i reformës së Kinës në epokën e re”, i organizuar nga CMG-ja, është zhvilluar ditët e fundit ose do të zhvillohet në disa vende të Evropës, Lindjes së Mesme, Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë Juglindore. (Li Huailiang/Artan)