Foto nga VCG
Një nga faktorët kyçë për suksesin e Kinës që nga viti 1978 ka qenë planifikimi i saj afatgjatë, duke përfshirë formulimin e një programi reformash dhe përcaktimin e drejtimit për zhvillimin ekonomik. Plenumi i tretë i Komitetit Qendror të 11-të të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) më 1978 ishte i një rëndësie të madhe, pasi udhëheqësi i atëhershëm kinez Ten Hsiao Pin përcaktoi rrugën për një ndryshim modeli nga ekonomia e planifikuar në ekonominë e tregut, ku stimujt nga të gjithë faktorët kryesorë ekonomikë: individët, familjet, firmat, organet e pushtetit vendor etj. përputheshin me përpjekjet për modernizimin dhe hapjen ekonomike të vendit.
Foto nga VCG
Plenumi i tretë, i mbajtur afërsisht një herë në pesë vjet, shqyrton përparimin e bërë gjatë gjysmëdekadës së kaluar dhe harmonizon detyrat e zhvillimit me rrethanat e ndryshueshme të brendshme e të jashtme; por drejtimi mbetet i pandryshuar, siç është arritja e begatisë ekonomike dhe përmirësimi i standardeve të jetesës së popullit kinez.
Strategjitë kombëtare në nivel makro të përcaktuara nga qeveria qendrore u zbatuan nga pushteti vendor, zyrtarët e të cilit janë të gatshëm të luajnë rol aktiv. Trashëgimia meritokratike e Kinës e bëri më të lehtë kalimin drejt qeverisjes moderne dhe "shpalosi kapacitetin e saj për të nxitur shkencën dhe teknologjinë moderne në epokën e re". Arritja e pashembullt e nxjerrjes së afro 800 milionë njerëzve nga varfëria absolute në katër dekada mund t'i atribuohet kësaj dysie të centralizimit të autoritetit dhe decentralizimit ekonomik në nivel vendor, të bazuar në meritokraci.
Foto nga VCG
Në kohën e zhvillimit të plenumit të tretë të Komitetit Qendror të 18-të të PKK-së më 2013, Kina kishte liberalizuar tashmë normat e interesit, kishte reformuar sistemin e taksave, kishte tërhequr flukse kapitali të huaj dhe ishte bërë vendi më i madh për tregtinë e mallrave.
Plenumi i tretë në vitin 2013 trajtoi çështjet e reja që kishin dalë nga këto arritje dhe "theksoi rëndësinë e zvogëlimit të hendekut të pasurisë, nevojën për një zhvillim rajonal më të ekuilibruar, së bashku me përmirësimin e sistemit të mirëqenies sociale dhe forcimin e rolit të ekonomisë private përkrah atij të ndërmarrjeve shtetërore.”
Plenumi i tretë të Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës i sapopërfunduar u mbajt, ndër të tjera, në sfondin e një qëndrimi më armiqësor të Perëndimit kundër Kinës, ngadalësimit të rritjes ekonomike botërore, deflacionit të vazhdueshëm dhe shpenzimeve të pamjaftueshme të konsumit. Plenumi ishte i mendimit se, gjatë hartimit të strategjisë për të ardhmen, duhet të merren parasysh edhe sfidat në rritje, si ndryshimi i klimës, pengesat ndaj zhvillimit teknologjik dhe tranzicioni demografik. Pavarësisht këtyre sfidave për të cilat janë propozuar veprime ndreqëse, Partia mbetet e përkushtuar në ndjekjen e modernizimit kinez dhe përmirësimin e standardeve të jetesës së popullit, duke ofruar më shumë mundësi për sektorin privat, duke zgjeruar hapjen e ekonomisë, duke i mbajtur dyert e Kinës të hapura e duke gjallëruar zonat rurale, për të kapërcyer hendekun e të ardhurave ndërmjet fshatit e qytetit.
Foto nga VCG
Synimi i plenumit të tretë për modernizimin dhe industrializimin me theks në përparimin shkencor dhe teknologjik, duke promovuar risitë në të gjitha fushat e ekonomisë, nuk shpërfill mbrojtjen e mjedisit. Partia e nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të shkëmbimeve shkencore globale, të forcimit të mjedisit ndërkombëtar të kërkimit dhe të krijimit të një ekosistemi inovativ konkurrues global.
Integrimi i Kinës në ekosistemin shkencor global është thelbësor për konceptin e forcave të reja prodhuese cilësore, një përbërës i zhvillimit gjithëpërfshirës me cilësi të lartë. Kjo nismë pritet të ndikojë drejtpërdrejt në produktivitetin e ndërmarrjeve kineze, dhe rrjedhimisht të rrisë konkurrencën e tyre, duke promovuar prodhimin dhe digjitalizimin e përparuar dhe duke siguruar zinxhirët e furnizimit, ndërkohë që do të zhvillohen më tej teknologjitë bazë dhe ato në zhvillim.
Foto nga VCG
Për ndryshimin e klimës dhe mbrojtjen e mjedisit, në komunikatën e plenumit theksohet: "Ne duhet të përmirësojmë sistemet e mbrojtjes ekologjike, të ndjekim një qasje të koordinuar për pakësimin e karbonit, uljen e ndotjes, zhvillimin e gjelbër dhe rritjen ekonomike, t'u përgjigjemi në mënyrë aktive ndryshimeve klimatike dhe të ecim më shpejt për të përmirësuar sistemet dhe mekanizmat për zbatimin e parimit se ujërat e kthjellëta dhe malet e gjelbra janë pasuri të paçmueshme". Përparimi mbresëlënës i bërë nga Kina në energjinë e rinovueshme, veçanërisht panelet diellore, bateritë dhe automjetet elektrike, duke tejkaluar të gjitha vendet e tjera të botës, dëshmon këtë angazhim të vendosur të autoriteteve kineze.
Siç thuhet në komunikatë, duhet të shfrytëzohet më mirë roli i tregut, të krijohet një mjedis tregu më i drejtë e më dinamik dhe të bëhet shpërndarja e burimeve në një mënyrë sa më efikase dhe produktive. Kufizimet në treg do të hiqen, ndërsa do të sigurohet njëkohësisht rregullimi efektiv, për të ruajtur rendin e tregut dhe për të ndrequr dështimet e tij. (Çang Çuo)