Personalitete ndërkombëtare vlerësojnë fjalimin e presidentit Xi në Samitin e Liderëve të G20-ës
2024-11-20 22:01:46

Personalitete të ndryshme ndërkombëtare thanë se fjalimi i rëndësishëm i presidentit Xi Jinping në Samitin e 19-të të Liderëve të G20-ës propozoi një sërë masash praktike për të nxitur zhvillimin global dhe për të përmirësuar qeverisjen globale, për të krijuar më tej konsensusin ndërkombëtar dhe për të nxitur vendet e ndryshme që të hapin rrugën për të ardhmen e bukur me zhvillim e lulëzim të përbashkët.

Jucelia Oliveira Freitas, zëvendëskryetarja e Asamblesë Shtetërore të Rio-de-Zhanejros në Brazil, tha se tetë veprimet e propozuara nga presidenti Xi në fjalimin e tij janë shumë kuptimplotë. “Kina do të përmirësojë sistemet dhe mekanizmat e hapjes së nivelit të lartë, do të zgjerojë hapjen e njëanshme ndaj vendeve më pak të zhvilluara dhe vendosi t'i bashkohet Aleancës Globale kundër Urisë dhe Varfërisë. Mendoj se këto janë vendime shumë fisnike. Për vendet më pak të zhvilluara, Kina është një vend shumë i rëndësishëm, sepse Kina ka luftuar pa pushim kundër varfërisë e ka përvojë në tejkalimin e varfërisë, dhe zgjerimi i hapjes së Kinës ka sjellë mundësi të mëdha zhvillimi për vendet më pak të zhvilluara,” u shpreh ajo.

Ekonomisti kanadez Mark Kruger shprehu mendimin se tetë veprimet e propozuara nga presidenti Xi janë shumë të mira dhe përmbajnë një sërë masash praktike. Ato do të kenë një ndikim shumë pozitiv në uljen e varfërisë globale dhe reagimin ndaj ndryshimeve klimatike. “Në Peru, ne kemi parë hapjen e portit Chancay, të ndërtuar bashkërisht nga Kina dhe Peruja, i cili do të shkurtojë shumë kohën e transportit. Mendoj se kjo jo vetëm që do të nxisë zhvillimin e Perusë, por nënkupton edhe ruajtjen e energjisë, duke ndihmuar në luftimin e ndryshimeve klimatike,” tha ai.

Gustavo Giraldo, drejtor i Qendrës së Studimeve Kinë-Amerika Latine në Argjentinë, mendon se fjalimi i presidentit Xi tregon drejtimin e botës. Presidenti Xi Jinping përmendi që duhen më shumë ura bashkëpunimi dhe më pak "mure të larta", gjë që ka rëndësi të madhe tani kur proteksionizmi është në rritje, u shpreh Giraldo, duke shtuar që këto "mure të larta" janë pengesa për zhvillimin dhe përparimin e vendeve në zhvillim. Fjalimi i presidentit Xi do të promovojë unitetin midis vendeve në zhvillim, do të arrijë bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta dhe do të shembë "muret e larta" që pengojnë përparimin tonë, vuri në dukje ai. (Çang Çuo)