Xi takohet me presidentin argjentinas
2024-11-20 02:50:39

Presidenti kinez Xi Jinping u takua të martën me presidentin argjentinas Javier Milei në Rio-de-Zhanejro, ku ata gjenden për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të G20-s.

Xi Jinping-u vuri në dukje se gjatë më shumë se gjysmë shekulli që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Argjentinës, të dyja palët i janë përmbajtur respektit të ndërsjellë, trajtimit të barabartë dhe përfitimit të përbashkët. Politika e Kinës ndaj Argjentinës ka qenë gjithmonë e orientuar për të gjithë popullin argjentinas dhe nga bashkëpunimi Kinë-Argjentinë gjithashtu përfitojnë të gjithë. Ky vit shënon 10-vjetorin e krijimit të marrëdhënieve të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës midis Kinës dhe Argjentinës. Marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve ndodhen në një pike kyçe. Kina e vlerëson miqësinë tradicionale ndërmjet të dy popujve dhe e mbështet Argjentinën në eksplorimin e një rruge zhvillimi që u përshtatet kushteve të saj kombëtare nëpërmjet reformave. Kina është e gatshme të punojë me Argjentinën për të promovuar zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës dhe për të ndihmuar më mirë në zhvillimin e të dy vendeve.

Presidenti Xi theksoi në vazhdim se situata aktuale botërore po pëson ndryshime të thella dhe Kina e Argjentina duhet të vijojnë të mbështesin me vendosmëri interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës, të thellojnë shkëmbimet në të gjitha nivelet e në të gjitha fushat, të promovojnë shkëmbimet e bashkëpunimin kulturor dhe ta rrënjosin më thellë miqësinë kino-argjentinase në zemrat e njerëzve. Strukturat ekonomike dhe tregtare të Kinës e Argjentinës janë shumë përplotësuese dhe perspektivat për bashkëpunim janë të gjera. Pala kineze e mirëpret palën argjentinase të kapë mundësitë e rëndësishme që sjell hapja e nivelit të lartë e Kinës ndaj botës, duke e zgjeruar më tej pjesën e vet të tregut në Kinë. Kina është e gatshme të punojë me Argjentinën për të vazhduar promovimin e ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë" dhe thellimin e bashkëpunimit në fushat e energjetikës dhe minierave, infrastrukturës, bujqësisë, risive teknologjike, ekonomisë digjitale etj. Kina është gjithashtu e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin financiar me Argjentinën për ta ndihmuar atë të ruajë qëndrueshmërinë ekonomike e financiare.

Javier Milei tha nga ana e tij se është shumë i lumtur që takon presidentin Xi Jinping dhe e falënderoi palën kineze për ndihmën e saj të vlefshme në stabilizimin e situatës së brendshme ekonomike e financiare të Argjentinës. Argjentina ka një miqësi të thellë tradicionale me Kinën dhe shpreson të bëhet një partnere e besueshme dhe e qëndrueshme e Kinës. Pala argjentinase e mbështet me vendosmëri qëndrimin e palës kineze për çështjen e Tajvanit dhe i përmbahet në mënyrë të vendosur parimit të “një Kine”. Argjentina shpreson të thellojë më tej bashkëpunimin me Kinën në fushat e ekonomisë, tregtisë, energjetikës, mineraleve, financave etj. Pala argjentinase mirëpret më shumë kompani kineze të investojnë në Argjentinë dhe është e gatshme të sigurojë një mjedis të mirë biznesi për ndërmarrjet që investojnë në Argjentinë dhe të mbrojë të drejtat dhe interesat e ligjshme të këtyre ndërmarrjeve. Argjentina i vlerëson lart propozimet e presidentit Xi Jinping mbi qeverisjen globale në Samitin e Liderëve të G20-s dhe është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkërendimin me Kinën. Argjentina mbështet suksesin e mëtejshëm të Forumit Kinë-Amerika Latine dhe është e gatshme të luajë një rol pozitiv në promovimin e zhvillimit të marrëdhënieve Amerikë Latine-Kinë, tha presidenti argjentinas. (Çang Çuo)