Paraditen e së martës sipas kohës vendore, presidenti kienez Xi Jinping u takua me homologun e vet francez Emmanuel Macron në kuadër të Samitit të Liderëve të G20-s në Rio-de-Zhanejro.
Xi vuri në dukje se Kina dhe Franca janë të dyja vende të mëdha të pavarura, të pjekura e të përgjegjshme dhe marrëdhëniet e tyre dypalëshe kanë vlerë unike strategjike dhe rëndësi globale. “Në maj të këtij viti, ne paraqitëm vizionin për ‘epokën e re’ të marrëdhënieve kino-franceze dhe diskutuam së bashku për sfidat globale dhe çështjet e nxehta, gjë që ka pasur një ndikim të gjerë dhe pozitiv në komunitetin ndërkombëtar,” vuri në dukje presidenti Xi. Sipas tij, situata aktuale ndërkombëtare po pëson shumë ndryshime të reja dhe është përgjegjësi e Kinës dhe e Francës, si vende kryesore, ta udhëheqin komunitetin ndërkombëtar në bashkimin për t'iu përgjigjur sfidave globale. Të dyja palët duhet të thellojnë komunikimin strategjik, të forcojnë mbështetjen e ndërsjellë, të ruajnë hovin e shëndetshëm e pozitiv të zhvillimit të marrëdhënieve kino-franceze dhe të japin kontribut më të madh në zhvillimin e shëndetshëm të marrëdhënieve Kinë-BE dhe për paqen e qëndrueshmërinë botërore.
Xi Jinping-u theksoi më tej që Kina është e gatshme të vazhdojë të intensifikojë shkëmbimet e nivelit të lartë me Francën, të thellojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në kulturë, arsim, pushtet vendor, çështjet rinore e fusha të tjera, dhe të promovojë lidhjet njerëzore kino-franceze. Plenumi i tretë i Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës ka nisur një raund të ri reformash dhe hapjeje të Kinës, i cili do të ofrojë mundësi të reja për bashkëpunimin kino-francez. Të dyja palët kanë perspektiva të gjera për bashkëpunim praktik. Xi shprehu shpresën që të dy vendet do t’i përdorin siç duhet mekanizmat e ndryshëm, si dialogu ekonomik dhe financiar i nivelit të lartë dhe Komiteti i Përbashkët Ekonomiko-Tregtar, për të shfrytëzuar thellësisht potencialin për bashkëpunim, për të forcuar epërsitë përplotësuese, për të zgjidhur siç duhet dallimet dhe për të arritur përfitime të ndërsjella.
Presidenti Macron tha nga ana e tij se, në maj të këtij viti, presidenti Xi Jinping vizitoi me sukses Francën dhe të dy vendet kremtuan së bashku 60- vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe. Bota e sotme është plot me faktorë të paqëndrueshëm dhe të pasigurt. Franca është e gatshme të punojë me Kinën për të zbatuar konsensusin e arritur nga dy krerët e shtetit, të vazhdojë të intensifikojë shkëmbimet e nivelit të lartë, të ngrejë nivelin e shkëmbimeve njerëzore e kulturore, të vijojë miqësinë tradicionale dhe të ndërtojë një lloj të ri marrëdhëniesh ndërmjet shteteve. Franca i përmbahet pavarësisë strategjike dhe është e gatshme të zhvillojë dialog e bashkëpunim me Kinën në frymën e respektit të ndërsjellë, të trajtojë siç duhet mosmarrëveshjet ekonomike e tregtare, të ruajë zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare dypalëshe dhe të forcojë bashkëpunimin në fusha të tilla si ndryshimet klimatike dhe qeverisja globale e inteligjencës artificiale.
Të dy palët shkëmbyen mendime edhe për krizën në Ukrainë. Xi Jinping-u vuri në dukje se pozicioni i Kinës për krizën ukrainase është i qëndrueshëm. Kina shpreson se situata e konfliktit do të zbutet, nuk dëshiron të shohë përhapjen e krizës dhe do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv për një armëpushim dhe përfundimin e luftës.