Xi dhe Lula u takuan së bashku me gazetarët
2024-11-21 03:58:32

Të mërkurën në mëngjes, presidenti i Kinës Xi Jinping dhe homologu i tij brazilian Luiz Lula da Silva u takuan së bashku me gazetarët pas bisedimeve të tyre në Pallatin Presidencial në kryeqytetin e Brazilit, Brazilia.

Xi Jinping-u theksoi se kjo është hera e parë në pesë vjet që ai shkel "në këtë tokë plot dashuri dhe shpresë". Ai bëri të ditur që, në prag të nisjes nga Kina, mori shumë letra nga 

“Ne ramë dakord që Kina dhe Brazili duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë brenda mekanizmave shumëpalësh, si Kombet e Bashkuara, G20 dhe BRICS, për të trajtuar së bashku sfidat e sigurisë në fushat tradicionale dhe jotradicionale, si uria dhe varfëria, konfliktet rajonale, ndryshimet klimatike dhe siguria kibernetike, duke dhënë kontribute të reja për paqen dhe zhvillimin botëror,” vuri në dukje Xi. Ai shtoi se viti i ardhshëm shënon 10- vjetorin e funksionimit zyrtar të Forumit Kinë-Amerika Latine, dhe Kina është e gatshme të punojë me Brazilin dhe vendet e tjera të Amerikës Latine për të promovuar ngritjen e bashkëpunimit Kinë-Amerika Latine në një nivel të ri.

Xi Jinping theksoi se bota aktuale nuk është paqësore dhe ka ende shumë zona që janë të shkatërruara nga lufta. Njerëzimi është një bashkësi e pandashme e sigurisë. Vetëm duke praktikuar një koncept të përbashkët, gjithëpërfshirës, bashkëpunues dhe të vazhdueshëm të sigurisë, mund të gjendet një rrugë drejt sigurisë universale. Kina dhe Brazili publikuan së bashku një "konsensus prej gjashtë pikash" për zgjidhjen politike të krizës ukrainase dhe krijuan grupin "Miqtë e Paqes" për krizën ukrainase së bashku me vendet përkatëse të Jugut Global. “Ne duhet të bashkojmë më shumë zëra të përkushtuar ndaj paqes dhe të hapim rrugën për një zgjidhje politike të krizës ukrainase. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për përhapjen e vazhdueshme të konfliktit në Gazë dhe bëjmë thirrje për arritjen sa më parë të një armëpushimi dhe përfundimin e luftës, zbatimin e zgjidhjes me dy shtete dhe për përpjekje të pandërprera për zgjidhjen gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze,” theksoi kreu i shtetit kinez. Sipas tij, si Kina, ashtu edhe Brazili kanë traditën dhe përgjegjësinë për të promovuar drejtësinë. Kina është e gatshme të punojë me Brazilin për të pasuruar vazhdimisht përmbajtjet e komunitetit me një të ardhme të përbashkët Kinë-Brazil, për të mbrojtur me vendosmëri multilateralizmin e vërtetë dhe për të shprehur së bashku zërin e fortë për  zhvillim dhe jo varfëri, bashkëpunim dhe jokonfrontim, drejtësi dhe jo hegjemoni, duke u bashkuar për të ndërtuar një botë më të mirë.

Lula nga ana e tij e përshëndeti ngrohtësisht vizitën e Xi Jinping-ut, duke thënë se megjithëse Brazili dhe Kina janë larg, të dy vendet kanë vlera të ngjashme, një game të gjerë interesash të përbashkët dhe miqësi të fortë. Bashkëpunimi Brazil-Kinë ka rëndësi strategjike dhe ndikim global. Kina është partnerja më e rëndësishme tregtare dhe e investimeve e Brazilit dhe kompanitë kineze në Brazil kanë promovuar në mënyrë efektive zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Brazilit. “Presidenti Xi Jinping dhe unë vendosëm t'i ngremë marrëdhëniet tona dypalëshe në në një komunitet me të ardhme të përbashkët Kinë-Brazil që punon së bashku për të krijuar një botë më të drejtë dhe një planet më të qëndrueshëm. Njëkohësisht, ne do të ndërlidhim strategjinë e zhvillimit të Brazilit me ndërtimin e përbashkët të ‘Një brez, një rrugë’, duke e fokusuar bashkëpunimin në zhvillimin e vazhdueshëm, infrastrukturën, financat, transformimin e energjisë etj.” tha Lula. Ai shtoi më tej që Brazili dhe Kina mbajnë qëndrime shumë të vendosura për çështjet kryesore, si zhvillimi dhe siguria ndërkombëtare, dhe shprehu falënderimin për mbështetjen e fortë të Kinës për kryesimin nga Brazili të G20-s dhe për anëtarësimin e saj në Aleancën Globale kundër Urisë dhe Varfërisë. “Ne do të komunikojmë më tej dhe do të bashkëpunojmë ngushtë brenda mekanizmave shumëpalësh, si Kombet e Bashkuara, G20 dhe BRICS, do të përkrahim së bashku reformën e sistemit të qeverisjes globale, do të ndërtojmë një sistem ndërkombëtar më të drejtë, më demokratik, më të barabartë e më të vazhdueshëm dhe do të promovojmë zgjidhjen paqësore të çështjeve të nxehta. Vizita e presidentit Xi Jinping ka hapur një kapitull të ri historik në marrëdhëniet Brazil-Kinë,” u shpreh Lula. (Çang Çuo)