Xi Jinping takohet me kancelarin gjerman Scholz
2024-11-19 23:16:37

Presidenti kinez Xi Jinping u takua të martën me kancelarin gjerman Olaf Scholz gjatë Samitit të Liderëve të G20-s në Rio- de-Zhanejro.

Xi Jinping-u vuri në dukje se ai dhe Scholz patën shkëmbime të sinqerta, të thella e të frytshme mendimesh kur kancelari gjerman vizitoi Kinën në prill të këtij viti, Gjatë gjashtë muajve të fundit, të dy vendet kanë arritur rezultate të rëndësishme në bashkëpunimin në fusha të tilla si zhvillimi i gjelbër, transporti i qëndrueshëm dhe bashkëpunimi bujqësor me Afrikën. Marrëdhëniet kino-gjermane kanë vijuar që të rrezatojnë gjallëri. Aktualisht, zhvillimi global është në një udhëkryq kritik. Si përkatësisht ekonomia e dytë dhe ajo e tretë më e madhe në botë dhe si vende kryesore me një ndikim të rëndësishëm, Kina dhe Gjermania duhet të këmbëngulin në konsolidimin e marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik nga një perspektivë afatgjatë e strategjike dhe të vijojnë të shkruajnë një artikull të arritjeve të ndërsjella në bashkëpunimin dypalësh.

Xi theksoi më tej që Kina e zhvillon politikën e saj ndaj Gjermanisë në një mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme dhe është e gatshme të punojë me Gjermaninë për të këmbëngulur në respektimin e interesave thelbësore dhe shqetësimeve kryesore të njëri-tjetrit, duke kërkuar terrenin e përbashkët e duke lënë mënjanë dallimet, dhe duke ndjekur rrugën e shkëmbimeve dhe mësimit të ndërsjellë. Interesat ekonomike të Kinës e Gjermanisë janë shumë të integruara dhe bashkëpunimi kino-gjerman është një mundësi për të promovuar së bashku zhvillimin dhe për të krijuar një të ardhme të ndritur. Kina e konsideron Gjermaninë si një partnere të rëndësishme në promovimin e modernizimit të stilit kinez dhe do të vazhdojë të ofrojë mundësi të gjera tregu për kompanitë gjermane. Të dyja palët duhet të promovojnë cilësinë dhe përmirësimin e bashkëpunimit lidhur me digjitalizimin, teknologjitë inteligjente dhe lëshimin e ulët të karbonit, të punojnë së bashku për të eksploruar tregjet e palëve të treta dhe për të arritur leverdi të ndërsjellë. Kina beson se Evropa është një pol i rëndësishëm në botën shumëpolare dhe po përpiqet të bashkëpunojë me palën evropiane për të përballuar së bashku sfidat dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve Kinë-Evropë. Tarifat e rritura të BE-së për automjetet elektrike kineze kanë tërhequr vëmendjen e mbarë botës, vuri në dukje presidenti Xi, duke shtuar se Kina ka këmbëngulur gjithmonë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut e konsultimeve dhe shpreson që Gjermania do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

Ndërsa Scholz theksoi se, që nga vizita e tij e fundit në Kinë, marrëdhëniet gjermano-kineze kanë arritur zhvillim pozitiv. Në situatën aktuale komplekse ndërkombëtare, është thelbësore që Gjermania dhe Kina të forcojnë komunikimin dhe bashkëpunimin. Gjermania shpreson të zhvillojë më tej marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik me Kinën dhe të forcojë dialogun e bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh në frymën e barazisë, sinqeritetit dhe respektit të ndërsjellë, duke i zgjidhur siç duhet dallimet, duke arritur përfitime reciproke dhe duke kontribuuar në rimëkëmbjen dhe rritjen e ekonomisë botërore. Ai shprehu shpresën që BE-ja dhe Kina do ta zgjidhin çështjen e automjeteve elektrike nëpërmjet dialogut, duke theksuar që Gjermania është e gatshme të bëjë përpjekje aktive në këtë drejtim.

Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe për çështje të nxehta, si kriza e Ukrainës dhe situata në Lindjen e Mesme. (Çang Çuo)