Xi Jinping-u bisedon me presidentin brazilian Lula
2024-11-21 06:39:00

foto: Xinhua

foto: Xinhua

Të mërkurën paradite sipas kohës vendore, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime me presidentin e Brazilit Luiz Lula da Silva në Pallatin Presidencial në kryeqytetin brazilian Brazilia. Të dy krerët e shtetit njoftuan ngritjen e marrëdhënieve Kinë-Brazil në një komunitet me një të ardhme të përbashkët që punon së bashku për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe një planet më të qëndrueshëm.

Në fillim të verës në Brasilia, qielli dhe ajri janë të pastër. Në Pallatin Presidencial 450 ushtarë të gardës ishin të rreshtuar. Nën shoqërimin e 120 kalorësve ceremonialë, Xi Jinping-u mbërriti me makinë në sheshin përballë Pallatit të Agimit, siç quhet ndryshe Pallati Presidencial brazilian.

Presidenti Lula dhe zonja e parë Rosangela e mirëpritën ngrohtësisht Xi Jinping-un dhe mbajtën një ceremoni madhështore mirëseardhjeje për nder të udhëheqësit kinez.

Banda frymore e ushtrisë luajti himnet kombëtare të Kinës dhe Brazilit. Të dy krerët e shtetit kaluan së bashku në revistë rojën e nderit. Fëmijë kinezë dhe brazilianë valëvitën flamujt kombëtarë të të dy vendeve për të pritur ngrohtësisht Xi Jinping-un. Artistët brazilianë kënduan këngën "Atdheu im" në gjuhën kineze.

Dy krerët e shtetit shtrënguan duart me personelin shoqërues të njëri-tjetrit.

Pas ceremonisë, ata zhvilluan bisedime.

Xi Jinping-u theksoi se është shumë i kënaqur që viziton Brazilin në një vit me rëndësi historike, kur është 50- vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Brazilit. “Presidenti Lula sapo mbajti një ceremoni madhështore mirëseardhjeje për mua, e cila pasqyron plotësisht rëndësinë e madhe që ai u kushton marrëdhënieve kino-braziliane dhe miqësinë e tij të thellë për popullin kinez,” u shpreh Xi. Ai vijoi duke thënë që Kina dhe Brazili janë dy vendet kryesore në zhvillim përkatësisht në hemisferën lindore dhe atë perëndimore. Gjatë 50 vjetëve të fundit, marrëdhëniet dypalëshe “kanë kapërcyer” male e dete dhe Kina e Brazili kanë eksploruar mënyrën e duhur për të arritur respekt reciprok, përfitim të ndërsjellë dhe miqësi ndërmjet vendeve të mëdha në zhvillim. Xi vuri në dukje që Brazili është vendi i parë që ka krijuar partneritet strategjik me Kinën dhe vendi i parë i Amerikës Latine që ka vendosur një partneritet strategjik gjithëpërfshirës me Kinën. “Vitet e fundit, nën drejtimin strategjik të zotit President dhe timin, të dy vendet janë bërë gjithnjë e më shumë miq të besueshëm me një fat të përbashkët dhe një forcë pozitive në promovimin e paqes,” u shpreh Xi. Marrëdhëniet Kinë-Brazil, shtoi ai, janë në periudhën më të mirë të tyre në histori, gjë që jo vetëm shton mirëqenien e dy popujve, por gjithashtu mbron interesat e përbashkët të vendeve në zhvillim, duke forcuar fuqinë dhe zërin e Jugut Global dhe duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për paqen dhe qëndrueshmërinë e botës.

"Sot do të doja të njoftoja së bashku me zotin President ngritjen e nivelit të marrëdhënieve kino-braziliane në një komunitet me të ardhme të përbashkët Kinë-Brazil që punon së bashku për të krijuar një botë më të drejtë dhe një planet më të qëndrueshëm,” u shpreh Xi. Në të njëjtën kohë, do të ndërthuret ndërtimi i përbashkët i "Një brez, një rrugë" me strategjinë e zhvillimit të Brazilit. Ky është një tjetër moment historik në zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Brazil, i cili përmbush pritshmëritë e përgjithshme të dy popujve dhe do të japë shtysë e mbështetje për të dyja palët për të çuar përpara modernizimin e tyre përkatës. Në të njëjtën kohë, kjo demonstron gjithashtu vendosmërinë e Kinës dhe Brazilit për ruajtjen e barazisë dhe të drejtësisë ndërkombëtare dhe promovimin e zhvillimit të përbashkët të botës, vuri në dukje Xi.

Kina është e gatshme të punojë me Brazilin, duke pasur në fokus të ardhmen e njerëzimit dhe mirëqenien e njerëzve, për të pasuruar vazhdimisht përmbajtjen e marrëdhënieve kino-braziliane në epokën e re, për të qenë "partnerë të artë" për arritje të ndërsjella dhe për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe një botë më të drejtë e më të qëndrueshme. “Ne do të ecim drejt objektivit të ndërtimit të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, një bote më të drejtë dhe një planeti më të qëndrueshëm, dhe do të japim kontribute më të mëdha për kauzën e paqes e të përparimit njerëzor,” theksoi Xi.

Ai paraqiti më tej katër sugjerime për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Së pari, ndarja e një fati të përbashkët dhe konsolidimi vazhdimisht i besimit të ndërsjellë strategjik. “Ne duhet të mbështesim me vendosmëri njëri-tjetrin në çështjet që përfshijnë interesat thelbësore, si sovraniteti, siguria e integriteti territorial, dhe të jemi partnerë strategjikë me besim të ndërsjellë dhe një shembull i unitetit, bashkëpunimit, përfitimit të ndërsjellë dhe zhvillimit të përbashkët për vendet e Jugut Global. Duhet të forcojmë shkëmbimet njerëzore, kulturore, arsimore e rinore dhe të konsolidojmë themelin e opinionit publik për një komunitet me një të ardhme të përbashkët Kinë-Brazil,” u shpreh Xi.

Së dyti, thellimi i vazhdueshëm i ndërlidhjes së strategjive të zhvillimit. Duhet të shfrytëzohet mundësia historike e sinergjisë së nismës "Një brez, një rrugë" me strategjinë e zhvillimit të Brazilit, të thellohet bashkëpunimi në fusha kyçe, si ekonomia dhe tregtia, infrastruktura, financa, shkenca e teknologjia dhe mbrojtja e mjedisit, si edhe të forcohet bashkëpunimi për hapësirën ajrore, shkencën e teknologjinë bujqësore, energjinë e pastër dhe fusha të tjera. Kina e vendos zbutjen e varfërisë në një vend të spikatur në qeverisjen e saj, mbështet planin e Brazilit "Uri zero" dhe është e gatshme të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin për uljen e varfërisë me Brazilin, në mënyrë që të dy popujt të bëjnë një jetë më të mirë.

Së treti, Kina dhe Brazili duhet të demonstrojnë fuqinë e tyre në ruajtjen e paqes dhe drejtësisë botërore. “Ne duhet të praktikojmë multilateralizmin e vërtetë, të këmbëngulim për të thënë të vërtetën dhe për t’i trajtuar çështjet me ndershmëri, duke promovuar një zhvillim më të drejtë dhe më të arsyeshëm të qeverisjes globale,” tha Xi. Ai vuri në dukje që Kina i kushton rëndësi të madhe statusit dhe ndikimit ndërkombëtar të Brazilit, e mbështet Brazilin për të luajtur një rol më të madh në arenën ndërkombëtare, është e gatshme të forcojë komunikimin e koordinimin me Brazilin brenda mekanizmave shumëpalësh si Kombet e Bashkuara e BRICS, dhe mbështet punën e Brazilit si vendi kryesues i BRICS-it vitin e ardhshëm, duke promovuar zhvillimin me cilësi të lartë të "Bashkëpunimit të BRICS-it të Madh" dhe duke e forcuar zërin e BRICS-it me respektimin e multilateralizmit dhe përmirësimin e qeverisjes globale.

Së katërti, Kina dhe Brazili duhet të japin kontribute për ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit. Si vende të mëdha në zhvillim, Kina e Brazili duhet të marrin drejtimin në konsultime e diskutime, të promovojnë ndihmën e ndërsjellë dhe të punojnë së bashku përballë sfidave globale që lidhen me të ardhmen dhe fatin e njerëzimit. Duhet forcuar bashkëpunimi në transformimin e gjelbër, zhvillimin e vazhdueshëm, reagimin ndaj ndryshimeve klimatike, qeverisjen e inteligjencës artificiale etj. Kina është e gatshme ta mbështesë Brazilin në pritjen e Konferencës së 30-të të Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike

Xi Jinping-u vuri në dukje më tej se 10 vjet më parë pikërisht në Brazilia, ai njoftoi bashkërisht krijimin e Forumit Kinë-Shtetet e Amerikës Latine dhe Karaibeve me liderët e vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, i cili promovoi një epokë të re në marrëdhëniet kino-latinamerikane me barazi, leverdi reciproke, inovacion, hapje dhe përfitime për njerëzit. Kina është e gatshme të punojë me Brazilin për të vazhduar organizimin me sukses të Forumit Kinë-Shtetet e Amerikës Latine dhe Karaibeve, ndërthurjen më të mirë të ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë" me epërsitë e nevojat e zhvillimit të Amerikës Latine dhe Karaibeve, si edhe nxitjen e arritjes së më shumë rezultateve në ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për Kinën dhe Amerikën Latine.

Presidenti Lula tha nga ana e tij se Brazili dhe Kina janë miq të mirë që e respektojnë njëri-tjetrin dhe mbështeten te njëri-tjetri. Kina është partnerja më e rëndësishme strategjike e Brazilit dhe populli kinez është ndër miqtë më të besueshëm të popullit brazilian. “Ky vit shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Brazilit dhe Kinës dhe ne e  mirëpritëm ngrohtësisht Presidentin Xi Jinping për të bërë një tjetër vizitë shtetërore në Brazil në këtë periudhë të rëndësishme. Në ceremoninë e mirëseardhjes pikërisht tani, unë organizova posaçërisht artistët brazilianë që të këndonin këngën e famshme kineze ‘Atdheu im’ për të shprehur mirënjohjen time ndaj Kinës për pritjen e ngrohtë gjatë vizitës sime në Kinë vitin e kaluar dhe për të shprehur miqësinë e thellë të popullit brazilian për popullin kinez,” theksoi Lula.

Më tej ai shtoi që gjatë 50 vjetëve të fundit, bashkëpunimi Brazil-Kinë në fusha të ndryshme ka arritur rezultate të frytshme. Brazili pret që ta marrë vizitën e Presidentit Xi Jinping si një pikënisje të re për të promovuar rezultate të reja më të prekshme në marrëdhëniet dypalëshe dhe për të punuar së bashku për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët Kinë-Brazil që punon së bashku për të krijuar një botë më të drejtë dhe një planet më të qëndrueshëm. Brazili po promovon fuqishëm strategjitë e zhvillimit, si "Plani i Rritjes së Përshpejtuar", "Plani i Ri Industrial" dhe "Plani i Rrugës së Integrimit të Amerikës së Jugut" që përputhen me nismën e Kinës “Një brez, një rrugë”. Forcimi i ndërlidhjes së strategjive të zhvillimit do ta ndihmojë në masë të madhe procesin e riindustrializimit të Brazilit, do të promovojë integrimin e Amerikës së Jugut dhe do të krijojë një shembull të unitetit, bashkëpunimit dhe përfitimeve të ndërsjella ndërmjet vendeve në zhvillim. Grupet e punës të të dyja palëve duhet të intensifikojnë diskutimet dhe të promovojnë bashkëpunimin në fushat kyçe, si infrastruktura, financa, zinxhiri industrial, shkenca e teknologjia, ekologjia dhe mbrojtja e mjedisit etj.

Më shumë kompani kineze janë të mirëpritura të investojnë dhe bashkëpunojnë në Brazil. Pala braziliane mirëpret përmirësimin e ndërlidhjes dhe logjistikës me Kinën dhe promovon zhvillimin dhe prosperitetin e përbashkët të Kinës, Brazilit dhe Amerikës Latine në përgjithësi. Brazili kundërshton "luftën e re të ftohtë" dhe nxit multipolaritetin botëror dhe marrëdhëniet e partneritetit global të bazuara në barazi dhe respekt të ndërsjellë. Brazili është i gatshëm të vazhdojë të thellojë komunikimin dhe koordinimin me Kinën brenda kornizave shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara, BRICS dhe G20 etj. , duke forcuar zërin dhe ndikimin e Jugut Global në qeverisjen globale. Brazili është gjithashtu i gatshëm të vazhdojë koordinimin e ngushtë shumëpalësh me Kinën dhe të japë kontribut në promovimin e zgjidhjes paqësore të çështjeve të nxehta, si kriza e Ukrainës.

Vizita e presidentit Xi Jinping është bërë një moment historik i ri në historinë e marrëdhënieve Brazil-Kinë dhe hap një kapitull të ri në ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët ndërmjet Brazilit dhe Kinës.

Pas bisedimeve, të dy krerët e shteteve nënshkruan së bashku "Deklaratën e përbashkët ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës Federale të Brazilit për të punuar së bashku për të ndërtuar një komunitet Kinë-Brazil me një të ardhme të përbashkët për një botë më të drejtë dhe një planet më të qëndrueshëm."

Të dy krerët e shtetit dëshmuan bashkërisht nënshkrimin e Planit ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Brazilit për Ndërlidhjen e Nismës “Një brez, një rrugë” me “Planin e Rritjes së Përshpejtuar”, “Planin e Industrisë së Re Braziliane”, “Planin e Transformimit Ekologjik” dhe “Planin e Bashkëpunimit të Rrugës së Integrimit të Amerikës së Jugut”.

Gjatë vizitës, të dy palët nënshkruan edhe më shumë se 30 dokumente dypalëshe bashkëpunimi në fushat e ekonomisë dhe tregtisë, investimeve, bujqësisë, ekonomisë digjitale, zhvillimit të vazhdueshëm, teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe bashkëpunimit për zhvillimin global.