e rastin e vizitës shtetërore të presidentit kinez Xi Jinping në Brazil, CGTN i Grupit Mediatik të Kinës dhe një grup mendimi brazilian kanë zhvilluar një sondazh me 1 106 të anketuar brazilianë. Sondazhi tregon që të anketuarit mendojnë që marrëdhëniet Kinë-Brazili e kanë kaluar nivelin dypalësh. Sipas tyre, bashkërendimi dhe bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve në platforma shumëpalëshe kanë sjellë më shumë gjallëri në mbrojtjen e interesave të vendeve të Jugut Global dhe në krijimin e një rendi ndërkombëtar më të drejtë e më të arsyeshëm.
Sivjet është 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Brazilit. Të dy vendet janë miq të mirë e partnerë të mirë që ecin përpara krah për krah. Sipas sondazhit, të anketuarit brazilianë kanë në një masë të madhe përshtypje të mirë për Kinën. 91.6 % e tyre besojnë që Kina është një vend i suksesshëm; 84.5 % mendojnë se Kina është një vend që meriton të respektohet, ndërsa 81.2 % janë të mendimit që Kina është një vend tërheqës. Ndërkaq, 76.2 % e atyre që u përgjigjën, e vlerësojnë Kinën si një vend i madh i përgjegjshëm.
Përveç kësaj, pjesëmarrësit në sondazh i vlerësojnë pozitivisht arritjet e zhvillimit dhe konceptin e modernizimit të stilit kinez. 97.6 % e tyre mendojnë se Kina ka një ekonomi të fuqishme, 96.9 % theksojnë se Kina ka një zhvillim të shpejtë ekonomik, 89.8% besojnë që ekonomia kineze do të ruajë një prirje të mirë afatgjatë dhe 95.6 % e vlerësojnë pozitivisht kontributin e ekonomisë kineze për rigjallërimin e ekonomisë botërore. Ndërkaq, 98.2 % e pjesëmarrësve mendojnë që Kina ka aftësi të forta teknologjike, 92.9 % besojnë se Kina ka nivel të lartë dhe aftësi të forta për risi teknologjike, kurse 93.9 % mendojnë që përparimet teknologjike kineze kanë dhënë kontribut të spikatur për zhvillimin e botës.
Gjatë gjysmëshekullit të fundit, marrëdhëniet Kinë-Brazil janë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme dhe bashkëpunimi praktik mes dy vendeve ka arritur rezultate të frytshme. Kina ka qenë partnerja më e madhe tregtare e Brazilit për 15 vjet radhazi, kurse Brazili është partneri më i madh tregtar i Kinës dhe destinacioni më i madh i investimeve kineze në Amerikën Latine. Ai është vendi i parë i Amerikës Latine, eksportet e të cilit në Kinë i kaluan 100 miliardë dollarët amerikanë. Sipas sondazhit, 86.7% e të anketuarve mendojnë që tregu i stërmadh i Kinës përbën një mundësi të rëndësishme zhvillimi për Brazilin, 71% mendojnë që marrëdhëniet ekonomiko-tregtare kino-braziliane janë të barabarta dhe me përfitime të ndërsjellta, 82.2% besojnë se Brazili përfiton nga tregtia ndërmjet dy vendeve dhe presin që të dy palët të kenë "50 vjet të artë" të tjerë të marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Para 10 vjetësh, presidenti kinez Xi Jinping propozoi për herë të parë ndërtimin e një bashkësie Kinë-Amerikë Latine me një të ardhme të përbashkët, gjë që mori një përgjigje të gjerë pozitive nga vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve. Si një praktikë e gjallë e kësaj bashkësie, ndërtimi i përbashkët i "Një brez dhe një rrugë" ka hapur një dritare mundësish për vendet e Amerikës Latine. Sipas sondazhit, 74 % e të anketuarve i vlerësojnë pozitivisht ndikimet pozivite të nismës "Një brez, një rrugë" për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, ndërsa 71.3% e përkrahin pjesëmarrjen e Brazilit në nismën "Një brez, një rrugë". Tre fushat e bashkëpunimit më të pritura në nismën "Një brez, një rrugë” janë infrastruktura (68.4 %), investimet dhe tregtia e jashtme(61.9 %) dhe tregtia elektronike ndërkufitare e tregtia digjitale (54.1 %).
83.4 % ndër të anketuarit e grupmoshave 18-24 vjeçe dhe 25-34 vjeçe mbështetin pjesëmarrjen e Brazilit në programet dhe projektet e bashkëpunimit të nisura nga Kina dhe 93.7% e të anketuarve kanë një qëndrim pozitiv për marrëdhëniet Kinë-Amerikë Latine.