Liderë botërorë dhe ekspertë e kanë mirëpritur nënshkrimin e Deklaratës së Pekinit nga 14 fraksione palestineze në Pekin dhe kanë vlerësuar rolin e Kinës në promovimin e saj.
Nënshkrimi i Deklaratës së Pekinit mbi Përfundimin e Ndarjeve dhe Forcimin e Unitetit Kombëtar Palestinez është "një hap tjetër pozitiv" drejt arritjes së unitetit kombëtar palestinez dhe përfaqëson "zgjidhjen ideale dhe më të përshtatshme kombëtare" për situatën palestineze pas konfliktit, tha të martën Hamas.
Foto nga ministria e Jashtme e Kinës
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, "e mirëpret shumë nënshkrimin e Deklaratës së Pekinit nga fraksionet palestineze", tha Stephane Dujarric, zëdhënës i kreut të OKB-së, në përgjigje të pyetjeve gjatë një konference të përditshme shtypi të martën.
Duke e cilësuar marrëveshjen si "një hap të rëndësishëm për nxitjen e unitetit palestinez", Dujarric u shpreh se sekretari i përgjithshëm "inkurajon të gjitha fraksionet të kapërcejnë dallimet e tyre nëpërmjet dialogut dhe u bën thirrje atyre të zbatojnë angazhimet e marra në Pekin dhe deklaratën që nënshkruan."
Foto nga ministria e Jashtme e Kinës
Në një deklaratë të martën, kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, tha se bashkimi i fraksioneve të ndryshme palestineze nën Deklaratën e Pekinit është një hap kyç drejt realizimit të të drejtave të popullit palestinez.
"Është shpresa ime e sinqertë që kjo deklaratë uniteti do të transformohet në rezultate të prekshme në terren dhe do të përballojë sfidat e ardhshme," tha ai. (Li Huailiang/Artan)