Ding Xuexiang bashkëkryeson mbledhjen e mekanizmit dypalësh dhe merr pjesë në Forumin e 6-të të Biznesit Energjetik Kinë-Rusi
2024-07-25 17:12:46

Nga 21 deri më 23 korrik, Ding Xuexiang, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe zv.kryeministër i Kinës, zhvilloi një vizitë në Rusi. Ai bashkëkryesoi me zv.kryeministrin e parë rus Denis Manturov mbledhjen e 11-të të Komitetit të Investimeve dhe të Bashkëpunimit Kinë-Rusi, dhe me zv.kryeministrin rus Alexander Novak mbledhjen e 21-të të Komitetit të Bashkëpunimit Energjetik Kinë-Rusi. Ai mori pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së Forumit të 6-të të Biznesit Energjetik Kinë-Rusi, ku lexoi mesazhin e urimit të presidentit kinez Xi Jinping dhe mbajti një fjalim.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Gjatë mbledhjeve dypalëshe për investimet dhe energjinë, Ding theksoi se sivjet është 75-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Rusisë. Presidenti Xi Jinping dhe presidenti Vladimir Putin kanë kryer komunikime të shumta strategjike dhe kanë arritur një sërë konsensusesh të rëndësishme, duke hartuar të ardhmen e marrëdhënieve Kinë-Rusi dhe të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Kina është e gatshme të bashkëpunojë me Rusinë për të zbatuar konsensusin e udhëheqësve të të dy vendeve, për të përmirësuar nivelin e bashkëpunimit në fushën e investimeve dhe të energjisë e për të realizuar më mirë përfitimet e ndërsjella dhe zhvillimin e përbashkët. Të dy palët duhet të forcojnë planifikimin e bashkëpunimit në fushën e investimeve, të nxitin projektet kyçe, të eksplorojnë thellësisht potencialin e bashkëpunimit në nivel vendor dhe të krijojnë një mjedis të mirë për investimet. Ato gjithashtu duhet të thellojnë bashkëpunimin në fushën e energjisë në të gjitha proceset, të forcojnë inovacionin në teknologjinë e energjisë dhe të shtojnë bashkëpunimin në qeverisjen globale të energjisë, duke promovuar zhvillimin me cilësi të lartë të bashkëpunimit energjetik Kinë-Rusi.

Pala ruse i vlerësoi lart nivelin e zhvillimit të marrëdhënieve Rusi-Kinë, si edhe rezultatet e bashkëpunimit praktik ndërmjet të dy vendeve, duke shprehur gatishmërinë për të punuar së bashku me palën kineze për të shfrytëzuar plotësisht platformën dhe rolin bashkërendues të mekanizmave të bashkëpunimit në fushën e investimeve dhe të energjisë e për ta zgjeruar e thelluar  bashkëpunimin, duke ndihmuar kështu në zhvillimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik të bashkërendimit Kinë-Rusi në epokën e re.

Të dy palët ranë dakord të përshpejtojnë zbatimin e konsensusit të mbledhjeve dhe të nxitin arritjen e rezultateve për takimin e 29-të të rregullt të kryeministrave të të dy vendeve që do të mbahet gjatë këtij viti.

Pas mbledhjes, Ding nënshkroi protokollet e mbledhjeve me zv.kryeministrat Manturov dhe Novak.

Në ceremoninë e hapjes së Forumit të 6-të të Biznesit Energjetik Kinë-Rusi, Ding Xuexiang theksoi se mesazhi i urimit nga presidenti kinez Xi Jinping tregon rëndësinë e madhe që i kushton kreu u shtetit i Kinës këtij forumi. Në majin e këtij viti, udhëheqësit e të dy vendeve u takuan në Pekin dhe publikuan një deklaratë të përbashkët, duke propozuar forcimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit strategjik në fushën energjetike dhe ngritjen e tij në nivel të lartë, për të garantuar sigurinë ekonomike e energjetike të të dy vendeve. Të dyja palët duhet të forcojnë prirjen pozitive të bashkëpunimit në tregtinë e energjisë, të çojnë përpara ndërtimin e veprave të mëdha energjetike, të zgjerojnë në mënyrë pragmatike bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella në zinxhirin e industrisë energjetike e të krijojnë marrëdhënie më të ngushta bashkëpunimi për energjinë.

Sekretari ekzekuziv i Komisionit Presidencial të Rusisë për Zhvillimin e Strategjisë Energjetike e Sigurinë Ekologjike dhe presidenti i kompanisë ruse të naftës "Rosneft", Igor Ivanovich Sechin, lexoi mesazhin e urimit nga presidenti Putin dhe mbajti një fjalim. Edhe zv.kryeministri Novak mbajti një fjalim. (Li Huailiang/Artan)