Kina nxit zhvillimin e "ekonomisë së argjendtë" përballë plakjes së popullsisë
2024-07-23 15:05:09

CFP

CFP

Rezoluta e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës për Thellimin e Mëtejshëm të Reformës në Mënyrë të Gjithanshme për të Çuar Përpara Modernizimin Kinez, e cila u miratua në plenumin e tretë të Komitetit Qendror të 20-të PKK-së, u bë publike të dielën. 

Ndër të tjera në këtë rezolutë deklarohet se, për t'u përgjigjur aktivisht problemit të plakjes së popullsisë, Kina do të përmirësojë politikat dhe mekanizmat për zhvillimin e programeve dhe sektorëve të kujdesit ndaj të moshuarve. 

"Ne do të zhvillojmë 'ekonominë e argjendtë' dhe do të mbështesim krijimin e vendeve të ndryshme të punës të përshtatshme për të moshuarit," thekson rezoluta, duke shtuar se, në përputhje me parimin e pjesëmarrjes vullnetare elastike, Kina do të çojë përpara reformën për të rritur gradualisht moshën e pensionit në një mënyrë të kujdesshme dhe të rregullt.

Në vitin 2015 Komisioni Evropian e përkufizoi ekonominë e argjendtë si "mundësitë ekonomike ekzistuese dhe të reja të lidhura me shpenzimet publike e të konsumit në rritje lidhur me plakjen e popullsisë dhe nevojat specifike të popullsisë mbi 50 vjeç." 

Në një udhëzues për të forcuar ekonominë e argjendtë të publikuar në janar të këtij viti, Kina e interpretoi ekonominë e argjendtë si një varg veprimtarish ekonomike, si ofrimi i produkteve a shërbimeve për të moshuarit dhe përgatitja për fazën e moshuar të jetës. Ajo përfshin një gamë të gjerë, një zinxhir të gjatë industrial dhe forma biznesi të diversifikuara, duke pasur potencial të madh, theksohet në këtë udhëzues. 

Sipas komunikatës, për të forcuar më tej ofrimin e shërbimeve bazë të kujdesit ndaj të moshuarve, Kina do të zhvillojë struktura të cilat janë të bazuara në lagje, do të përmirësojë mekanizmat e funksionimit të institucioneve publike, do të inkurajojë dhe do të orientojë pjesëmarrjen e ndërmarrjeve dhe të aktorëve të tjerë joqeveritarë në ofrimin e shërbimeve, ndërkohë që do të nxisë edhe kujdesin ndaj të moshuarve mbi bazë të ndihmës së ndërsjellë, si edhe ndërthurjen e kujdesit mjekëror me kujdesin ndaj të moshuarve. 

Kina do të përshpejtojë punën për të shmangur dobësitë në shërbimet rurale të kujdesit ndaj moshuarve. "Ne gjithashtu do të kujdesemi që të ofrohen shërbimet më të mira për të moshuarit me vështirësi të posaçme, duke përfshirë ata që jetojnë vetëm, kanë paaftësi a vuajnë nga dëmtime fizike, e do të përshpejtojmë skemat e sigurimeve për kujdesin afatgjatë," shton rezoluta.