Lufta Izrael- Hamas, ministri i Mbrojtjes, Gantz paralajmëron tërheqje nga qeveria
2024-05-20 11:04:22

Foto nga VCG

Ish- ministri izraelit i mbrojtjes dhe anëtari i kabinetit të luftës, Benny Gantz kërkoi nga kabineti të parashtrojë një plan për luftën kundër Hamasit deri më 8 qershor, njofton RTSH.

Në një fjalim në qytetin Ramat Gan, Gantz paralajmëroi se nëse kërkesat e tij nuk plotësohen, ai do të tërhiqet nga qeveria.

Ai tha se plani duhet të eliminojë Hamasin, të kthejë pengjet, të krijojë një qeveri alternative në rrip, të kthejë banorët izraelitë në veri të Izraelit dhe të krijojë një plan për të bërë përparim në normalizimin me Arabinë Saudite.

Gantz tha se kryeministri Benjamin Netanyahu duhet të zgjedhë midis "fitores dhe fatkeqësisë" ndërsa lëshoi ultimatumin.

“Nëse (Netanyahu) zgjedh të çojë kombin në humnerë, ne do të tërhiqemi nga qeveria, do t'i drejtohemi njerëzve dhe do të formojmë një qeveri që mund të sjellë një fitore të vërtetë”, tha Gantz.

Por zyra e Kryeministrit izraelit ka hedhur poshtë kërcënimin e Benny Gantz për t'u larguar nga qeveria, duke thënë se ultimatumi që ai parashtroi për planin e luftës kundër Hamasit do të dëmtonte Izraelin.

“Kushtet e vendosura nga Benny Gantz janë fjalë, kuptimi i të cilave është i qartë: fundi i luftës dhe një disfatë për Izraelin, braktisja e shumicës së pengjeve, lënia e Hamasit të paprekur dhe krijimi i një shteti palestinez,” tha zyra në një deklaratë.

Zyra e kryeministrit pyeti gjithashtu Gantz-in nëse ai është i vendosur të eliminojë batalionet e Hamasit, të kundërshtojë futjen e Autoritetit Palestinez në Gaza dhe të kundërshtojë krijimin e një shteti palestinez – duke thënë se kryeministri Benjamin Netanyahu është i përkushtuar ndaj të treve.

“Kryeministri Netanyahu mendon se qeveria e jashtëzakonshme është e rëndësishme për arritjen e të gjitha qëllimeve të luftës, duke përfshirë kthimin e të gjithë pengjeve tanë dhe pret që Gantz të sqarojë qëndrimet e tij për publikun për këto çështje”, thuhet në deklaratë.

Largimi i Gantz nga kabineti i luftës nuk do të shkaktonte një kolaps të qeverisë së Netanyahut, sepse ai nuk është pjesë e qeverisë së koalicionit. Por tërheqja e tij e mundshme do të dëmtonte imazhin e unitetit të kohës së luftës që Netanyahu është përpjekur të projektojë gjatë gjithë luftës në Gaza. (Fatosi)