Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA votoi për rifillimin e furnizimit me armë për Izraelin
2024-05-19 15:09:17

foto nga CFP

foto nga CFP

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka votuar në favor të një projektligji që synon të detyrojë presidentin Joe Biden të rifillojë dërgesat e armëve në Izrael, të cilat ishin ndërprerë.

Teksti u miratua me 208 vota republikane dhe 16 vota nga demokratët e Biden, por ka të ngjarë të dështojë në Senat, ku partia e presidentit ka avantazhin.

Biden kishte njoftuar më parë se ai do të vendoste veton ndaj projektligjit nëse ai kalonte në Kongres, shkruan “ATSH”.

Teksti i bën thirrje administratës amerikane që të zbatojë me shpejtësi të gjitha transferimet e armëve në Izrael, të cilat tashmë janë autorizuar nga Kongresi.

SHBA-ja aktualisht ka ndaluar dërgimin e municioneve për shkak të veprimeve të Izraelit në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.

Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë vazhdimisht se refuzon një ofensivë të madhe nga ushtria izraelite në qytet, i cili është i mbipopulluar me njerëz të zhvendosur brenda vendit nga pjesë të tjera të Rripit të Gazës. (Irma)