Studimi: Gjermania mund të kursejë miliarda euro duke nxitur transportin e gjelbër
2024-05-18 18:28:42

Transporti i gjelber (Foto Weforum)

Transporti i gjelber (Foto Weforum)

Gjermania mund të kursejë 60 miliardë euro (64.8 miliardë dollarë amerikanë) në rrugën e saj drejt neutralitetit klimaterik deri në vitin 2045, duke marrë masa shtesë të menjëhershme në sektorin e transportit, bëhet e ditur në një studim të publikuar nga grupi i ekspertëve “Agora Verkehrswende”, citon “Xinhua”.

Sipas politikave aktuale të klimës, theksohet në studim, sektori i transportit të Gjermanisë parashikohet të humbasë objektivat e tij të reduktimit të emetimeve, duke rezultuar në emetime të tepërta prej rreth 590 milionë tonë CO2 deri në vitin 2045.

“Hezitimi politik ka një çmim që matet ose në para ose në gaze serrë, me të gjitha rreziqet që lidhen me të”,- deklaroi Wiebke Zimmer, zëvendësdrejtor i “Agora Verkehrswende”.

Edhe pse ekonomia më e madhe e Evropës është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e saj të përgjithshme klimaterike të vendosura për vitin 2030, sektori i transportit ka ende probleme të mëdha, sipas Agjencisë Federale të Mjedisit (UBA).

Qeveria ka rishikuar së fundmi Aktin Federal për Mbrojtjen e Klimës, duke e zhvendosur fokusin nga objektivat individuale të emetimeve për secilin sektor në një llogaritje gjithëpërfshirëse, shumëvjeçare dhe ndërsektoriale, si faktori vendimtar për zbatimin e masave të mëtejshme.

Aktivistët e klimës kritikuan masën dhe u zotuan të ngrenë një padi kundër saj. Ndryshimet klimaterike parashikohet të shkaktojnë një humbje prej 19 për qind të të ardhurave në ekonominë globale deri në vitin 2050, edhe me një reduktim të ndjeshëm të emetimeve të gazeve serrë që tani e tutje, sipas një studimi të fundit nga Instituti Potsdam për Kërkimin e Ndikimit Klimatik (PIK). (Elona)