Kryeministri Rama: Nuk bëjmë asnjë marrëveshje tjetër për emigrantët përveç Italisë
2024-05-18 16:39:42

Kryeministri Rama - kryeministrja italiane Meloni (Foto Atsh)

Kryeministri Rama - kryeministrja italiane Meloni (Foto Atsh)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk ka pranuar ofertën e vendeve të tjera për një marrëveshje për emigrantët si ajo e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të BE-së, që u zhvillua në Malin e Zi, për planin e rritjes, kryeministri shqiptar tha se marrëdhënia me Italinë është një histori tjetër dhe nuk mund të përsëritet me vendet e tjera.

Ai pranoi se ka pasur shprehje interesi nga Britania e Madh, por edhe nga vende të tjera.

“Ka pasur një shprehje dëshire nga ana e Britanisë së Madhe dhe jo vetëm, edhe e disa vendeve të tjera lidhur me këtë, edhe përpara se të ndodhte marrëveshja jonë me Italinë, por përgjigjja ime ka qenë e prerë “Jo” dhe mbetet e tillë. Italia është një histori tjetër dhe është një realitet tjetër në tablonë e marrëdhënieve tona miqësore dhe marrëdhënieve tona ndërkombëtare, kështu që i kam shpjeguar të gjitha arsyet pse Italia ha bukë veç”, tha Rama. (Irma)