Kuvendi miratoi marrëveshjen e pensioneve me Italinë, ministri Gonxhja: Takimi i parë zbatues më 18-20 qershor
2024-05-18 17:09:29

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se takimi i parë zbatues i marrëveshjes me Italinë për njohjen e pensioneve do të zhvillohet në datat 18-20 qershor.

Gjatë diskutimit në Kuvend të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”, ministri Gonxhja tha se marrëveshja nuk ka prapaveprim dhe nuk mund të ketë një pretendim financiar për vitet e shkuara, shkruan “ATSH”.

“Të gjitha kontributet dhe ngjarjet në jetën tonë akumulohen dhe në rast se një person është në Itali dhe ka përfituar një pension të caktuar për shkak të viteve atje, por ka edhe disa vite në Shqipëri për të cilat nuk është i kualifikuar për të marrë pension, nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi i takon e drejta të marrë edhe pensionin për vitet në Shqipëri. Nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi, këto vite kthehen në një të drejtë pensioni për të, por natyrisht në masën që i takon nga kontributet në Shqipëri. Qytetarët nuk mund të kërkojnë para për vitet para se të hynte marrëveshja në fuqi, por nga dita që marrëveshja hyn në fuqi pensioni i tyre rritet bazuar në këtë riformulim”, - tha Gonxhja.

Kuvendi miraton me 92 vota pro projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”. (Irma)