Kryeparlamentarja Nikolla: PABSEC, kontribuuese e paqes
2024-05-18 17:57:43

PABSEC - Lindita Nikolla (Foto Atsh)

PABSEC - Lindita Nikolla (Foto Atsh)

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, mori pjesë në seancën e 63-të plenare të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, PABSEC, në përfundim të presidencës së suksesshme të Kuvendit të Shqipërisë në këtë organizatë.

Nikolla deklaroi se e gjithë bota po përjeton ditë jo të mira, duke theksuar se PABSEC-ja do të vijojë të jetë një kontribuuese e paqes, kundër dhunës, konflikteve dhe agresioneve, shkruan “ATSH”.

Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, Nikolla rikonfirmoi vendosmërinë dhe angazhimin për të kontribuar që dialogu, jo konfliktet, të jetë rruga e bashkëpunimit.

“Toleranca dhe paqja të na udhëheqin në bashkëpunimin tonë me rajonet e tjera, Mesdheun, Europën e më gjerë. Që të ekzistojmë si një organizatë rajonale me përgjegjësi globale. Që si një organizatë e bashkëpunimit parlamentar, të nxisim bashkëpunimin e qeverive, institucioneve dhe njerëzve të vendeve tona”,- deklaroi kryeparlamentarja Nikolla. (Elona)