Kompania kineze përfundon projektin në qytetin futurist saudit NEOM
2024-05-18 17:44:07

foto nga CFP

foto nga CFP

Një projekt tuneli hyrës në qytetin futurist të Arabisë Saudite, NEOM, i ndërtuar nga “China Railway Construction Corporation” (CRCC), u përfundua dhe u dorëzua këtë javë. Ky është projekti i parë i ndërmarrë nga një kompani kineze në NEOM, shkruan “Xinhua”.

Projekti filloi në tetor 2021 dhe përbëhet nga gjashtë hyrje me një gjatësi totale 9.48 km, thellë në shkretëtirën e rajonit Tabuk të Arabisë Saudite.

Gjatë procesit të ndërtimit, kompania kineze ka bërë risi të ndryshme teknologjike për të kapërcyer sfidat e krijuara nga kushtet komplekse gjeologjike, tha Tang Ming, zëvendësmenaxheri i përgjithshëm dhe drejtor i projektit të selisë rajonale të kompanisë në Lindjen e Mesme.

Barrymore Nicholls, menaxher i projektit, tha se ndërmarrjet kineze kanë demonstruar konkurrencë ndërkombëtare në projekt, duke shprehur besimin e tij se ndërmarrjet kineze do të luanin një rol më të rëndësishëm në ndërtimin e NEOM.

E ndodhur në skajin jugor të Gjirit të Akabës dhe që mbulon një sipërfaqe prej 26.500 km katrorë, NEOM përfaqëson vizionin e Arabisë Saudite për ndërtimin e një qyteti të ardhshëm avangardë që paraqet një model të ri për jetë të qëndrueshme, punë dhe prosperim.

Qyteti është pjesë e Vizionit Saudit 2030 të iniciuar për të nxitur një ekonomi të larmishme. Aktualisht, shumë ndërmarrje kineze po marrin pjesë në ndërtimin e qytetit NEOM. (Irma)