Kryeministri grek: S’do të ratifikojmë memorandumet e bashkëpunimit derisa Maqedonia e Veriut t’i përmbaheni marrëveshjes së Prespës
2024-05-17 17:48:10

Kryeministri grek (Foto Rtsh)

Kryeministri grek (Foto Rtsh)

Qeveria greke nuk do të dërgojë për ratifikim në Parlament tre memorandume bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut, për çështje ku përfshihet dhe anëtarësimi europian i vendit fqinj, derisa Shkupi zyrtar t’i përmbahet plotësisht marrëveshjes së nënshkruar në Prespë mes dy vendeve në vitin 2018, deklaroi kryeministri Kiriakos Mitsotakis, shkruan “RTSH”.

“Nuk do të ratifikojmë memorandumet derisa të jemi të bindur plotësisht se pala tjetër vepron në përputhje të plotë me të gjitha dispozitat e marrëveshjes”, deklaroi kryeministri grek, pasi partia kryesore opozitare e vendit, Syriza, kërkoi që memorandumet të shkonin për votim në Parlament, disa ditë pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, gjatë fjalimit të inaugurimit të saj, iu referua vendit thjesht me emrin Maqedonia, në vend të emrit kushtetues Maqedoni e Veriut, për të cilin u ra dakord në Marrëveshjen e Prespës.   

“Kam paralajmëruar qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut se çdo shmangie nga zbatimi i marrëveshjes do të ketë pasoja serioze në marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe në rrugëtimin europian të Shkupit zyrtar”,- tha Mitsotakis, sipas të cilit nëse Greqia miratonte memorandumet, do të humbte mjete që kishte në dorë për t’i bërë presion vendit fqinj që t’i përmbahet paktit të Prespës. 

Marrëveshja e Prespës u nënshkrua në vitin 2018 nga ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe ish-kryeministri grek Aleksis Tsipras, në atë kohë kryetar i partisë Syriza. (Elona)