Përmirësohet gjendja shëndetësore e kryeministrit sllovak pas atentatit
2024-05-17 16:22:29

Sllovaki (Foto ATSH)

Sllovaki (Foto ATSH)

Kryeministri sllovak, Robert Fico, i cili u plagos rëndë gjatë një atentati, ka rifituar vetëdijen pas një operacioni që zgjati disa orë, njoftuan mediet lokale, raporton “ATSH”.

Megjithatë, mediet nuk dhanë ndonjë informacion të mëtejshëm për gjendjen shëndetësore të Ficos. Ndërsa mbrëmjen e së mërkurës, sipas informacioneve zyrtare, 59-vjeçari kishte qenë në rrezik për jetën. Që atëherë nuk ka pasur asnjë deklaratë apo shpjegim të ri nga qeveria.

Politikani 59-vjeçar nacionalist i majtë u dërgua në spital me helikopter pasi u qëllua në qytetin Handlova. Dëshmitarët okularë deklaruan se pesë të shtëna u dëgjuan përpara Shtëpisë së Kulturës, rreth 192 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bratislavë. Një e shtënë e goditi në gjoks.

Stacioni televiziv lokal “RTV Prievidza” publikoi një video të incidentit që tregonte një burrë që shtynte gardhin dhe që qëlloi në drejtim të kryeministrit nga një distancë e afërt.

Policia njoftoi se kishte arrestuar sulmuesin e dyshuar, për të cilin media bëri të ditur se ishte një ish-punonjës i një shërbimi privat të sigurisë.

Kjo nuk u konfirmua zyrtarisht fillimisht.

Pavarësisht një embargoje informacioni, në media u publikua një video, ku sulmuesi i dyshuar, me pamje të trullosur, tha: “Nuk jam dakord me politikën e qeverisë”.

Me një zë të turbullt, ai përmendi si shembull konkret planin e qeverisë për mbylljen e radiotelevizionit publik “RTVS”, kundër të cilit mijëra njerëz kanë protestuar prej javësh.

Ministri i Brendshëm, Matush Sutaj-Estok, njoftoi rritjen e mbrojtjes policore për politikanët dhe gazetarët.

Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje medieve, politikanëve nga të gjitha kampet dhe publikut që të ndalojnë nxitjen e urrejtjes kundër kundërshtarëve politikë. (Elona)