Kërcënimet kibernetike, Rama: Akademi digjitale ose fizike pranë Kolegjit të Europës në Tiranë
2024-05-17 15:37:32

Samiti - Rama (Foto ATSH)

Samiti - Rama (Foto ATSH)

Për kryeministrin Edi Rama, rajoni duhet të jetë pjesë e të gjitha instrumenteve që lidhen me paralajmërimin e hershëm, parandalimin dhe menaxhimin e kërcënimeve të sigurisë kibernetike dhe keqinformimeve.

Në fjalën e tij në samitin rajonal Ballkani Perëndimor - BE për ecurinë pozitive të planit të ri të rritjes ekonomike dhe hapat në vijim për zbatimin e tij, Rama theksoi se ka propozuar për të ngritur akademinë përkatëse, duke iu referuar përvojës së Kolegjit të Europës për Studimet Europiane, shkruan “ATSH”.

“Duhet ta bëjmë pjesëmarrjen tonë në politikën e jashtme të sigurisë më të dukshme. Duhet të jemi pjesë e të gjitha instrumenteve që lidhen me paralajmërimin e hershëm, parandalimin dhe menaxhimin e kërcënimeve të sigurisë kibernetike sa i takon keqinformimit, e kështu me radhë”,- vuri në dukje ai.

Nga ana tjetër, theksoi kryeministri, na duhet të transformojmë dijet e tregut të përbashkët.

“Ne kemi dhënë propozimin për të ngritur akadaminë përkatëse duke iu referuar përvojës së Kolegjit të Europës për Studimet Europiane. E shoh mjaft të përshtatshme dhe aspak të vështirë që të kemi një Akademi të tillë, qoftë kjo digjtale apo fizike, që të jetë e atashuar me Kolegjin e Europës në kampusin e Tiranës. Kjo do t’i shërbejë qëllimit për ta bërë më të lehtë dhe gjithëpërfshirës transformimin e njohurive”,- deklaroi Rama. (Elona)