Samiti, Spajiç: Akademi për certifikimin e produkteve të rajonit të destinuara për tregjet e BE-së
2024-05-17 17:46:57

Spajic (Foto RTSH)

Spajic (Foto RTSH)

Një treg të përbashkët rajonal, unifikim të procedurave doganore, krijimi i korsive të gjelbra dhe përafrimi i standardeve të rajonit me BE-në në zhvillimin ekonomik dhe të kapitalit njerëzor ishte mesazhi që kryeministri i ri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, dha në nisje të Samitit Ballkani Perëndimor-BE që u mbajt në Kotor të Malit të Zi.

Spajiç e ka cilësuar planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor si një plan me vizion të gjerë, ku BE-ja do të japë 6 miliardë euro për reformat që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit dhe afrimin e tregjeve të rajonit me atë të BE-së, citon “RTSH”.

Kryeministri malazez Spajiç tha se duhet përmirësim i kuadrit tatimor dhe harmozimin i procedurave doganore mes vendeve të rajonit si pjesë e zhvillimit ekonomik, ndërsa shtoi se duhet ngritur një akademi që produktet e rajonit të certifikohen për tregjet e BE-së.

“Çuarja para e tregut të përbashkët rajonal mbetet kyç drejt standardeve të BE-së. Mirëpresim nismën për korsitë e gjelbra dhe përmirësimin e bashkëpunimit të kuadrit tatimor dhe harmonizimin i procedurave doganore. Plani i rritjes parashikon përmirësimin e qarkullimit të mallrave në rajon dhe përfshirjen e tyre në zinxhirin e tregjeve të Europës. Produktet tona duhen certifikuar kur kalojnë në tregjet e BE-së. Kjo kërkon kohë, është e kushtueshme dhe pengesë për tregtinë”,- tha Spajiç.

Teksa vlerësoi planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor, kryeministri Spajiç kërkoi që BE-ja të bëjë edhe më shumë në zhvillimin e infrastrukturës në të gjithë rajonin për një bashkëlidhje edhe më të mirë të ekonomive dhe tregtisë, por edhe fuqizimin e kapitalit njerëzor si faktor kyç në zbatimin e reformave. (Elona)