Frontex: Ulet numri i emigrantëve të parregullt që përdorin Ballkanin Perëndimor drejt BE-së
2024-05-17 12:59:52

Foto nga Panorama

Agjencia e Bashkimit Europian për Kontrollin e Kufijve, Frontex, bëri të ditur se rruga e Ballkanit Perëndimor shënoi rënien më të madhe të kalimeve të emigrantëve të parregullt drejt BE-së, me rreth 69%, për katër muajt e parë të këtij viti, krahasur me të njëjtën periudhë të një viti më parë, përcjell “Panorama”.

Sipas raportit të Frontex, kjo rrugë pati rreth 7 mijë kalime të parregullta që nga fillimi i janarit deri në fund të prillit.

Në raport thuhet se edhe kalimet e parregullta kufitare në BE në të gjitha rrugëkalimet e tjera në katër muajt e parë të vitit ranë me gati një të katërtën.

Sipas të dhënave të kësaj agjencie, emigrantët e parregullt nga Siria, Turqia dhe Afganistani përbëjnë numrin më të madh të personave që janë evidentuar në rrugën e Ballkanit Perëndimor.

Studiuesit e çështjeve të emigracionit thonë se edhe kur emigrantët e parregullt kërkojnë azil nuk synojnë të qëndrojnë në vendet e Ballkanit, por e përdorin këtë praktikë për të fituar kohë dhe gjetur mundësi për të kaluar drejt vendeve europiane.

Vendet e Ballkanit janë prekur ndjeshëm nga emigrimi i banorëve të tyre dhe së fundi në shumë zona, sidomos turistike, janë rritur nevojat për fuqi punëtore. (Elona)