SHBA-ja i bën presion Izraelit t'i dorëzojë Autoritetit Palestinez të ardhurat nga taksat
2024-05-17 16:26:01

Gaza (Foto RTSH)

Gaza (Foto RTSH)

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që qeveria izraelite t'i transferojë Autoritetit Palestinez të ardhurat nga taksat që i ka mbajtur në burim. 

Ministria e Financave ka konfirmuar se ka vendosur mos të transferojë të ardhurat nga taksat këtë muaj, me raporte të ndryshme të mediave hebraike që e vendosin shumën e mbajtur në burim në 170-200 milionë NIS (46-54 milionë dollarë), shkruan “RTSH”.

Autoriteti Palestinez bëri të ditur se do t'u paguajë punonjësve të sektorit publik vetëm 50% të pagave të marsit, pasi Izraeli ndaloi transferimin e duhur për muajin prill dhe se detyrimet e prapambetura do të paguhen kur ta lejojë situata financiare.

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë ushtruar kohët e fundit presion të madh mbi zyrtarët e lartë izraelitë për të transferuar paratë, duke paralajmëruar se dështimi për ta bërë këtë do të shkaktonte një krizë akute ekonomike në Bregun Perëndimor dhe mund të nxiste tensionet.

Lëvizja e ministrit të Financave, Bezalel Smotrich, është në shenjë proteste ndaj përpjekjeve të Autoritetit Palestinez në luftën kundër shtetit të Izraelit, një referencë e dukshme ndaj raporteve se Autoriteti ka kërkuar që Gjykata Penale Ndërkombëtare të lëshojë urdhër arreste për zyrtarët e lartë izraelitë për shkelje të supozuara të ligjit ndërkombëtar në Gaza gjatë luftës së vazhdueshme kundër Hamasit, si dhe lëvizjeve të njëanshme për të përmirësuar statusin e saj në OKB.

Megjithëse Hamasi mori kontrollin e Gazës nga fraksioni rival Fatah në vitin 2007, Autoriteti Palestinez, i cili dominohet nga Fatahu, vazhdon të financojë disa shërbime shëndetësore dhe arsimore në enklavë. (Elona)