MIE, dorëzohen katër projekte të reja fotovoltaike, kapaciteti i instaluar 101 MW
2024-05-17 12:03:04

Foto nga RTSH

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se pranë saj janë dorëzuar katër projekte të reja  për të investuar në impiantë fotovoltaikë.

Një prej tyre ka një kapacitet të instaluar 101 MW, ndërsa  tre të tjerë në limitin e 2MW. Projektet janë në bashkitë Kavajë dhe Fier, bën të ditur “RTSH”.

Të gjitha projektet nuk përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë teksa energjinë do të duhet ta shesin në treg të lirë.

Referuar raportit të fundit të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2023 thuhet se të paktën tre impiante të mëdhenj janë përfunduar dhe energjizohen në vitet 2024-2025 ku bëjnë pjesë Karavastaja 140 MW si dhe parku “Blue 1” dhe “Blue 2” me kapacitet 115 MW.

Një pjesë e impianteve tashmë kanë lidhur marrëveshje me sistemin e transmetimit ndërkohë që të tjerë kanë marrë miratimin ose rimiratimin në parim për lidhje në këtë sistem. Po kështu, janë me dhjetëra që kanë marrë opinion paraprak për lidhje në sistemin e transmetimit.

Orientimi i investimeve në energjinë diellore mori nxitje gjatë krizës së energjisë 2021-2022. (Elona)