Kryeministri Tusk: Polonia nuk do të pranojë emigrantë sipas paktit të ri të BE-së
2024-05-16 15:31:25

Foto nga VCG

Kryeministri polak, Donald Tusk, deklaroi se Polonia nuk do të pranojë asnjë emigrant sipas paktit të sapomiratuar të Bashkimit Evropian (BE) për emigracionin dhe azilin, shkruan “Xinhua”.

Në një konferencë për shtyp pas takimit të Këshillit të Ministrave, Tusk tha se qeveria e tij votoi kundër paktit. Ai theksoi se pakti i miratuar në këtë formë i jep Polonisë mundësinë për të shmangur çdo pasojë negative.

Kryeministri Tusk theksoi se vendi, që ka pranuar qindra mijëra emigrantë, nuk do të jetë i detyruar të pranojë emigrantë të tjerë dhe BE-ja nuk do të vendosë asnjë kuotë emigrantësh ndaj Polonisë.

Sipas tij, Polonia do të zbatojë në mënyrë efektive mbështetjen financiare nga BE-ja në lidhje me pritjen e emigrantëve nga fqinjët lindorë të bllokut.

Dhjetë akte legjislative që reformojnë kuadrin europian për menaxhimin e azilit dhe emigracionit u miratuan nga shtetet anëtare të BE-së të martën.

Pakti i ri kërkon kufij më të ashpër dhe përgjegjësi të përbashkët për azilkërkuesit midis anëtarëve të BE-së. (Irma)