Guvernatori Sejko: Kredia për ekonominë u rrit në nivelin 30% të PBB-së
2024-05-16 14:44:53

Foto nga ATSH

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se sistemi bankar ka kontribuuar në një rritje të shpejtë të kredisë për ekonominë, nga niveli 7% i PBB-së në vitin 2002, në nivelin 30% të PBB-së në vitin 2023, citon “ATSH”.

Në aktivitetin e 25-vjetorit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, të zhvilluar në Tiranë, guvernatori Sejko tha se gjatë këtyre viteve sistemi bankar ka qenë mbështetës dhe iniciator i shumë nismave, duke i hapur rrugë adoptimit të standardeve që përcaktojnë tashmë bankingun modern në Shqipëri.

Sipas tij, sektori bankar shqiptar i ka ofruar ekonomisë një gamë të gjerë e në rritje instrumentesh pagesash, të cilat mundësojnë lëvizjen efikase të likuiditetit dhe të kapitalit në ekonomi.

Ai theksoi se qeveria shqiptare, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave kanë bërë një punë të madhe për realizimin e reformave të rëndësishme strukturore gjatë dekadës së fundit, siç janë: plani i masave për reduktimin e kredive me probleme nga 25% në 4.64% dhe përmirësimin e mjedisit të kreditit; konsolidimi i sistemit bankar dhe rritja e përfshirjes financiare.

“Banka e Shqipërisë mbetet e përkushtuar drejt ruajtjes së stabilitetit monetar e financiar të vendit, si parakusht i zhvillimit të qëndrueshëm e afatgjatë; rritjen e mëtejshme të kreditimit, zgjerimin e përfshirjes financiare dhe mbështetjen e transformimin digjital në sektorin bankar për shërbime më të shpejta dhe më të besueshme për publikun”,- deklaroi guvernatori Sejko. (Irma)