Shtetet nordike synojnë të rrisin së bashku konkurrencën dhe sigurinë
2024-05-15 11:30:37

Lideret e vendeve nordike (Foto Menafn)

Lideret e vendeve nordike (Foto Menafn)

Liderët e pesë shteteve nordike nënshkruan një deklaratë të përbashkët mbi të ardhmen e konkurrencës, sigurisë dhe rritjes në rajonin nordik, gjatë një takimi në Suedi.

Për shkak të situatës së sigurisë në Evropë, ekonomitë në rajonin nordik duhet të bëhen më elastike dhe konkurruese, thuhet në deklaratën e përbashkët të firmosur nga kryeministrat e Suedisë, Finlandës, Norvegjisë, Danimarkës dhe Islandës, shkruan “Xinhua”.

Synimi i tyre është gjithashtu ta bëjnë rajonin nordik më të qëndrueshmin dhe më të integruarin në botë deri në vitin 2030.

“Të lehtësosh kushtet për njerëzit dhe kompanitë që të operojnë përtej kufijve kombëtarë është thelbësore për të nxitur konkurrencën dhe rritjen nordike”,- tha kryeministri suedez Ulf Kristersson.

Sipas deklaratës, janë identifikuar katër fusha kryesore të zhvillimit: Së pari, duhet të shfrytëzohen teknologjitë kritike dhe në zhvillim si inteligjenca artificiale, komunikimet celulare 5G/6G dhe teknologjia kuantike, pasi ato kanë potencialin për të rritur ndjeshëm produktivitetin, për të transformuar industritë dhe për të kontribuar në tranzicionin e gjelbër dhe sigurinë tonë ekonomike; Tregjet evropiane të kapitalit duhet gjithashtu të rriten; tranzicion i përshpejtuar i gjelbër për të rritur konkurrencën nordike; të krijohen kushte të favorshme për të investuar në sigurinë e përbashkët dhe mbrojtjen kolektive.  (Elona)