Moda e lashtë: Të rinjtë kinezë ringjallin veshjet tradicionale hanfu
2024-05-15 17:16:09

Hanfu, një lloj veshjeje tradicionale kineze, "ka çelur" mes luleve plot gjallëri të pranverës, ndërsa një numër në rritje i adhuruesve të tyre mblidhen për të kapur bukurinë e rrobave nëpërmjet lenteve të aparateve, duke shtuar freskinë në këtë stinë.

Gjatë viteve të fundit, ky stil i lashtë i veshjes ka bërë një rikthim të fuqishëm ndërmjet të rinjve kinezë. Qoftë për të kremtuar festat tradicionale apo për të shkuar në vendet historike, veshja e këtyre rrobave, me modele dhe stile që datojnë shekuj më parë, është bërë një prirje për të shfaqur vlerat e tyre të veçanta estetike.

Hanfu është stili historik rrobash të veshura dhe të zhvilluara nga kombësia hane në Kinë dhe ka ndikuar në veshjet tradicionale të shumë kulturave fqinje, si hanbok korean, kimono japoneze dhe áo giao lĩnh vietnameze.

Në qytetin jugperëndimor Kunming, Yang drejton një dyqan hanfu-sh, ku ofron të gjitha llojet e tyre për klientët ,që të përjetojnë joshën e veshjeve tradicionale të Kinës së lashtë. Edhe vetë Yang i do hanfu-të. "Si shumë të rinj, fillova t'i pëlqeja hanfu-të kur pashë të tjerët që i vishnin ato në mënyrë elegante. Pastaj fillova të gërmoj thellë në këto veshje dhe të njoh domethënien dhe historitë kulturore që qëndrojnë pas tyre," tha ajo. 

Shumë entuziastë të hanfu-së bien në dashuri me to për bukurinë e tyre. Më pas, pasi zhyten në kulturën e këtyre veshjeve, dashuria bëhet edhe më thellë, thotë Yang. "Kultura jonë tradicionale është përcjellë përgjatë mbi 5 000 vjetëve. Ka shumë gjëra që ia vlen t'i trashëgojmë." theksoi ajo. 

Kjo prirje ka çuar në një rritje të "etheve" për veshjet dhe aksesorët hanfu. Dyqani i Yang-ut gëzon një popullaritet të gjerë, veçanërisht gjatë festave, kur duhet të jetë i hapur gjatë gjithë ditës për klientët. "Për shkak të ndikimit të ringjalljes së kulturës tradicionale, numri i njerëzve që e dashurojnë hanfu-në dhe kulturën tradicionale ka shtuar shpejt. Si në ditët e zakonshme të punës ashtu edhe në ditët e festave, ne presim shumë klientë. Vetëm gjatë Festës së Varkës së Dragoit të vitit 2023, ne punuam gjithë ditën," tha Yang. Bizneset e tjera përkatëse, si modelimi i veshjeve hanfu dhe i aksesorëve, kanë pasur gjithashtu rritje të ndjeshme.

Sipas Yang-ut, një model i thjeshtë i veshjes hanfu mund të kushtojë rreth 200 deri në 800 juanë (31 deri në 125 dollarë). Një numër i modeleve të ndërlikuara mund t'i kushtojnë blerësit më shumë se 1 000 juanë (156 dollarë). "Shumë kompani të hanfu-së po ecin mirë çdo vit me një numër në rritje markash që u ofrojnë komsumatorëve më shumë zgjedhje," tha Yang.

Numri i adhuruesve të hanfu-së në Kinë po rritet shumë shpejt, nga 3.56 milionë në vitin 2019 në mbi 9.98 milionë vjet.

Në vitin 2023, tregu i këtyre veshjeve arriti vlerën 14.47 miliardë juanë dhe pritet të rritet në 24.18 milionë juanë në vitin 2027.(Xu Guang)