Kina nis anijen kozmike "Chang'e-6" për të marrë mostra nga ana e pasme e Hënës
2024-05-14 13:00:38

Kina nisi të premten anijen kozmike "Chang'e-6" për të mbledhur dhe për të dërguar mostra nga ana e pasme misterioze e Hënës – përpjekja e parë e këtij lloji në historinë e eksplorimit njerëzor në Hënë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Një raketë "Marshimi i Madh-5", që mbante anijen kozmike "Chang'e-6", u lëshua nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Wenchang-ut në bregdetin e provincës ishullore të Kinës Jugore Hainan, më 5:27 pasdite sipas orës së Pekinit.

Përafërsisht 37 minuta pas ngritjes, "Chang'e-6" u nda prej raketës dhe hyri në orbitën e saj të planifikuar të transferimit Tokë-Hënë, e cila kishte një lartësi perigjeu 200 kilometra dhe një lartësi apogjeu prej rreth 380 000 kilometrash, sipas Administratës Kombëtare të Hapësirës të Kinës (CNSA).

Lëshimi i anijes hapësinore  "Chang'e-6" ishte një sukses i plotë, njoftoi CNSA.

"Mbledhja dhe dërgimi i mostrave nga ana e pasme e Hënës është një arritje e paparë. Tani ne dimë shumë pak për anën e pasme të Hënës. Nëse misioni 'Chang'e-6' e arrin qëllimin e tij, ai do t'u sigurojë shkencëtarëve prova të drejtpërdrejta për të kuptuar mjedisin dhe përbërjen materiale të anës së pasme të Hënës, gjë që ka një rëndësi të jashtëzakonshme”, tha Wu Weiren, anëtar i Akademisë së Inxhinierisë të Kinës dhe kryeprojektuesi i programit të eksplorimit hënor të Kinës.

"Megjithatë, misioni është shumë i vështirë dhe i rrezikshëm. Ne mezi presim suksesin e tij," shtoi ai.

Foto:VCG

Foto:VCG

Anija kozmike "Chang'e-6", si dhe paraardhësja e saj "Chang'e-5", përbëhet nga një orbitues, një zbritës, një ngritës e një kthyes. 

"Chang'e-6" do të bëjë një zbritje në anën e pasme të Hënës. Brenda 48 orëve pas zbritjes, një krah robotik do të shtrihet për të hequr gurët e dheun sipërfaqësor dhe një shpues do të gërmojë dheun. Ekipi kërkimor në Tokë do të zhvillojë studim në të njëjtën kohë.

Pasi mostrat e mbledhura të mbarten në një enë, ngritësi do të niset nga Hëna dhe do të lidhet me orbituesin në orbitën hënore. Kthyesi më pas do t'i çojë mostrat përsëri në Tokë, duke u ulur në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës Veriore. I gjithë fluturimi pritet të zgjasë rreth 53 ditë, deklaroi CNSA.

Dy anët e Hënës

Meqenëse cikli i rrotullimit të Hënës rreth Tokës është i njëjtë me ciklin e rrotullimit të saj rreth vetes, e njëjta anë e Hënës është gjithmonë përballë Tokës. Ana tjetër, shumica e së cilës nuk mund të shihet nga Toka, quhet ana e pasme ose "ana e errët" e Hënës. "E errët" këtu nuk nënkupton mungesën e dritës, por misterin që mbulon këtë terren të paeksploruar të hënës.

Imazhet me sensorë në largësi tregojnë se dy anët e Hënës janë shumë të ndryshme. Ana e përparme është relativisht e sheshtë, ndërsa ana e pasme është e mbushur me kratere përplasjeje në madhësi të ndryshme dhe ka shumë më pak pala hënore sesa ana e përparme. Shkencëtarët nxjerrin përfundimin se korja hënore në anën e pasme është shumë më e trashë se ajo në anën e përparme. Por arsyeja për këtë mbetet një mister.

Foto:VCG

Foto:VCG

Një krater përplasjeje i njohur si pellgu "Apollo", që gjendet brenda ultësirës së Polit të Jugut-Aitken (SPA) në anën e pasme të Hënës, është zgjedhur si destinacioni i zbritjes dhe marrjes së mostrave për misionin "Chang'e-6", sipas Wang Qiong, zv. kryeprojektues i misionit.

Pellgu kolosal SPA u formua nga një përplasje kozmike mbi katër miliardë vjet më parë dhe ka një diametër prej 2 500 kilometrash, sa largësia ndërmjet Pekinit e Hainanit, dhe ka një thellësi rreth 13 kilometra. Ai është krateri më i vjetër e më i madh në Hënë dhe mund të ofrojë informacionin më të hershëm për satelitin e vetëm natyror të planetit tonë, theksojnë shkencëtarët.

Ndikimi i madh i përplasjes që formoi pellgun SPA mund të ketë nxjerrë materiale nga thellësitë e Hënës. Nëse këto materiale arrijnë të mblidhen dhe të transportohen në Tokë për studim, mund të ofrojnë njohuri të reja si për historinë e hershme të ndikimit të sistemit diellor, ashtu edhe për evolucionin gjeologjik të Hënës, tha Zeng Xingguo, shkencëtar në Observatorët Kombëtarë Astronomikë pranë Akademisë së Shkencave të Kinës (CAS).

"Mostrat e marra drejtpërdrejt nga ana e pasme e Hënës janë thelbësore për të na dhënë një kuptim më të thellë të karakteristikave dhe dallimeve të dy anëve të hënës dhe për të zbuluar sekretet e saj," tha Zeng.

Më shumë se 300 kilogramë mostra hënore janë marrë gjatë 10 misioneve të kryera nga Shtetet e Bashkuara, ish-Bashkimi Sovjetik e Kina, të gjitha nga ana e përparme e Hënës, tha Yang Wei, një studiues në Institutin e Gjeologjisë dhe Gjeofizikës pranë CAS-it.

"Kuptimi ynë për formimin dhe evolucionin e Hënës vjen pothuajse tërësisht nga studimi i mostrave hënore, e ky studim është gjithashtu i nevojshëm për eksplorimin e ardhshëm të hapësirës së thellë," shtoi ai.

Sfida të reja

Foto:VCG

Foto:VCG

“I gjithë misioni është i mbushur me sfida të shumta, dhe secili hap është i ndërlidhur e i vështirë", u shpreh Wang.

Për të realizuar komunikimin midis Tokës dhe sondës në anën e pasme të Hënës, Kina dërgoi satelitin rele "Queqiao-2" në një orbitë të ngrirë hënore eliptike në fillim të këtij viti.

Megjithëse misioni "Chang'e-4" arriti zbritjen e parë të butë në botë në anën e pasme të Hënës në vitin 2019, "Chang'e-6" ende përballet me rreziqe të ndjeshme, sepse terreni i thyer i anës së pasme të Hënës ka sfida të mëdha për zbritjen, theksojnë ekspertët.

Për kryerjen e misionit "Chang'e-6" duhet të bëhen përparime të reja teknologjike në fusha të ndryshme.

Ndërsa sateliti rele "Queqiao-2" rrotullohet rreth Hënës, sonda "Chang'e-6" nuk do të jetë në gjendje të komunikojë me kontrollorët në Tokë për ca kohë gjatë operacioneve të saj në anën e pasme të Hënës, tha Deng Xiangjin, një ekspert nga Korporata e Shkencës dhe e Teknologjisë Hapësinore e Kinës (CASC).

“Ne kryem një analizë gjithëpërfshirëse të të dhënave nga qindra eksperimente në Tokë dhe përdorëm inteligjencën artificiale për të përmirësuar dizajnin e anijes, për të rritur aftësitë e saj të kontrollit autonom dhe për të përmirësuar efikasitetin e saj të marrjes së mostrave, tha ai.

"Sasia e mostrave që mund të mbledhë 'Chang'e-6' është e pasigurt dhe nuk mund ta parashikojmë saktësisht tani për tani. Qëllimi ynë është të mbledhim 2 kilogramë," shtoi Deng.

Foto:VCG

Foto:VCG

Përtej kufijve

Misioni "Chang'e-6" po mban katër ngarkesa të zhvilluara nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, duke ofruar më shumë mundësi për shkencëtarët e botës dhe duke bashkuar njohuritë njerëzore në eksplorimin e hapësirës.

Instrumente shkencore nga Franca, Italia dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA)/Suedia gjenden në zbritësin e "Chang'e-6" dhe një satelit i vogël nga Pakistani është në bordin e orbituesit.

Pasi anija kozmike "Chang'e-6" të hyjë në orbitën hënore, sateliti i vogël do të lëshohet për të kryer detyra  imazherie në orbitë. Një retroreflektor me lazer i krijuar nga shkencëtarët italianë do të përdoret për pozicionimin dhe matjen e largësisë në misionet e ardhshme hënore, bëri të ditur Wang.

Sipas tij, një analizues i zhvilluar nga ESA/Suedi do të përdoret për të zbuluar jonet negative në sipërfaqen e Hënës dhe për të studiuar ndërveprimin midis plazmës e sipërfaqes hënore. Ndërkohë, një instrument shkencor i prodhuar nga shkencëtarët francezë do të zbulojë izotopet e radonit dhe do të studiojë mekanizmat e transmetimit dhe shpërhapjes së përbërësve të paqëndrueshëm në mjedisin hënor.

Kina u përmbahet parimeve të konsultimeve, përpjekjeve e përfitimeve të përbashkëta në bashkëpunimin e saj ndërkombëtar për eksplorimin hënor dhe është e gatshme të angazhohet në nivele e lloje të shumta bashkëpunimi me vendet e organizatat ndërkombëtare në mbarë botën, mbi bazën e barazisë dhe të leverdisë së ndërsjellë, vuri në dukje Ge Ping, zëvendësdrejtor i Qendrës së Kërkimit Hënor dhe Inxhinierisë Hapësinore të CNSA-së.

Kina ka hapur aplikimet nga bashkësia ndërkombëtare për të marrë hua e për të studiuar mostrat hënore të transportuara nga misioni "Chang'e-5" dhe mirëpret shkencëtarë nga e gjithë bota të marrin pjesë në projektet e saj të ardhshme të eksplorimit hënor dhe planetar, shtoi Ge.

Foto:VCG

Foto:VCG

"Ne jemi shumë krenarë që jemi pjesë e këtij misioni historik," theksoi Pierre-Yves Meslin, studiues nga Franca, duke shtuar se ai mezi pret bashkëpunimin e mëtejshëm hapësinor midis dy vendeve.

"Vetë natyra e eksplorimit të hapësirës na inkurajon të mendojmë për planetin tonë sikur jemi një dhe na inkurajon të mendojmë për njerëzimin së bashku. Është absolutisht thelbësore për ne që të vazhdojmë udhëtimin tonë të ri në kozmos duke punuar së bashku," tha Neil Melville-Kenney, Zyrtari Teknik i Joneve Negative në Sipërfaqen Hënore i ESA-s.