Presidentja Davkova iu referua vendit si Maqedoni, BE-ja: Zbatoni Marrëveshjen e Prespës
2024-05-14 11:19:45

Flamuri europian (Foto Balkanweb)

Bashkimi Europian (BE) ka shprehur keqardhje që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit kur u betua si presidente në një ceremoni parlamentare të dielën, shkruan “RTSH”.

“BE-ja rithekson rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese dhe ligjërisht të detyrueshme, përfshirë marrëveshjen e Prespës me Greqinë”,- deklaroi zëdhënësja e BE-së për Çështjet e Sigurisë dhe Politikës së Jashtme, Nabila Massrali, në një komunikatë për shtyp.

Gjatë ceremonisë së betimit si presidente në Parlament, Davkova tha se do të mbronte sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë, duke e shmangur emrin kushtetues të vendit, Maqedonia e Veriut.

Ambasadorja e Greqisë në RMV, Sofia Filipidou, e braktisi ceremoninë e betimit të presidentes në shenjë proteste pse Davkova e përmendi emrin e vjetër Republika e Maqedonisë gjatë procesit.

Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje me Greqinë në Prespë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.

Davkoka, e cila u bë gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut prej pavarësisë së vendit në vitet ’90, pasi fitoi zgjedhjet presidenciale më 8 maj, ka deklaruar se nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës. Por ajo ka deklaruaar se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese, të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase, ajo do t’i respektonte ato.

Ajo u zotua gjatë fjalimit se kabineti i saj presidencial do të pasqyrojë përbërjen etnike të vendit, ku do të ketë vend edhe për maqedonasit, shqiptarët dhe përfaqësuesit e entiteteve tjera, ndërsa përzgjedhja e tyre do të bëhet bazuar në kritere profesionale dhe jopartiake. (Fatosi)