Kryediplomati amerikan: Në sulmet e Izraelit ka më shumë viktima civile sesa terroristë
2024-05-14 14:46:21

Foto nga VCG

Më shumë se 35 mijë persona kanë vdekur deri tani nga sulmet izraelite në Gaza, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e Hamasit, shkruan “Panorama”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se ata që humbën jetën pas sulmeve të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit në Rripin e Gazës ishin më shumë civilë sesa terroristë.

“Izraeli ka njohuritë dhe mjetet për të reduktuar dëmin ndaj civilëve në operacionet e tij ushtarake. Rezultatet në terren, duke përfshirë numrin e lartë të viktimave civile, ngrenë dyshime thelbësore nëse IDF-ja i përdori ato në mënyrë efektive në të gjitha rastet”,- deklaroi kryediplomati amerikan.

Sipas tij, SHBA-ja nuk ka parë ende një plan të qartë dhe të besueshëm për të mbrojtur civilët në Rafah, siç është kërkuar disa herë.

Ndërkohë, Egjipti dhe Libia kanë njoftuar se do të mbështesin Afrikën e Jugut në akuzën kundër Izraelit për gjenocid ndaj palestinezëve, të paraqitur në Hagë.

(Fatosi)