Kryeministri polak premton të forcojë sigurinë në kufirin me Bjellorusinë
2024-05-13 14:34:27

Kufiri Poloni-Bjellorusi (Foto Rtsh)

Kryeministri Donald Tusk deklaroi se Polonia do të fillojë punën për përforcimin e mëtejshëm të kufirit lindor, pasi vendi po përballet me luftë hibride të emigrimit të jashtëligjshëm nga Bjellorusia, njofton “RTSH”.

Tusk nuk dha hollësi për veprimet e planifikuara, por shtoi se kur bëhet fjalë për sigurinë e Polonisë, nuk ka limite.

“Kufiri mes Polonisë dhe Bjellorusisë është vend i veçantë, për shkak të presionit nga emigrimi i jashtëligjshëm. Në fakt, ne kemi të bëjmë me një luftë hibride”,- tha Tusk gjatë një takimi me ushtarë dhe roje kufitare.

Qeveria e mëparshme polake dhe Bashkimi Evropian e akuzuan Bjellorusisë më 2021-shin se kishte nxitur një valë emigrantësh për t’i bërë trysni BE-së në lidhje me sanksionet e vendosura ndaj vendit.

Tentimet për kalimin e kufirit kanë vazhduar prej atëherë. Sipas Rojës Kufitare të Polonisë, ka rreth 300 tentime në ditë për kalimin e jashtëligjshëm të kufirit.

Marrëdhëniet e tensionuara mes fqinjëve janë rritur edhe më tej, pasi aleatja e Bjellorusisë, Rusia, nisi konfliktin me Ukrainën në shkurt 2022.

Qeveria e mëparshme polake ndërtoi një mur metalik në kufirin me Bjellorusinë, 180 kilometra i gjatë dhe 5.5 metra i lartë, për t’u mbrojtur nga emigrimi i jashtëligjshëm.

Muri është i pajisur me një sistem kamerash dhe sensorësh që vëzhgojnë kufirin.

Kryeministri Tusk tha se mure të reja do të ngrihen përgjatë tërë kufirit lindor, edhe përgjatë kufirit me Ukrainën dhe Rusinë, megjithëse ai nuk dha hollësi. (Fatosi)