Mbrojtja Civile Palestineze: Mijëra trupa njerëzish ndodhen nën rrënoja në Gaza
2024-05-13 15:12:30

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Mbrojtja Civile në Gaza ka bërë të ditur se rreth 10 mijë persona ndodhen nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara në Gaza.

“Për muaj të tërë, ne kemi punuar me pajisje të thjeshta, të cilat na e harxhojnë kohën dhe përpjekjen tonë”,- deklaroi zëdhënësi Mahmoud Bassal, duke theksuar se Izraeli ka shkatërruar 70 deri në 80% të aftësive të Mbrojtjes Civile, njofton “RTSH”.

“Ne kërkojmë që Kombet e Bashkuara dhe grupet humanitare të ndërhyjnë menjëherë për të lejuar hyrjen e pajisjeve të nevojshme të shpëtimit, në mënyrë që të vazhdojmë punën tonë, të nxjerrim personat e mbetur nën rrënoja dhe të sigurojmë karburantin e nevojshëm për të operuar”,- tha Bassal.

Sipas tij, gati 40 ditë pas tërheqjes së forcave izraelite nga afërsia e kompleksit mjekësor Al-Shifa, Mbrojtja Civile dhe stafi mjekësor janë ende duke tërhequr trupat e varrosur nga forcat izraelite në varre masive.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza bëri të ditur javën e kaluar se ekipet mjekësore zbuluan një varr të tretë masiv në kompleksin Al-Shifa. Ushtria izraelite ka mohuar çdo përfshirje në varrosje. (Fatosi)