Rritet numri i viktimave nga përmbytjet në Afganistan
2024-05-13 14:04:54

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Numri i viktimave nga përmbytjet shkatërruese në provincën veriore të Afganistanit, Baghlan, është rritur në 315, njoftoi Ministria afgane e Refugjatëve dhe Riatdhesimit.

Numri i vërtetë i viktimave nga përmbytjet e së premtes mbetet ende i paqartë. Shifra e fundit e konfirmuar nga zyrtarët lokalë në Baghlan është 131 viktima, me mbi 100 të plagosur.

Megjithatë, agjencitë e OKB-së dhe ministria kanë raportuar një shifër shumë më të lartë, shkruan “ATSH”.

“Save the Children”, një organizatë ndërkombëtare e ndihmës, vlerëson se rreth 600.000 persona, duke përfshirë afërsisht 310.000 fëmijë, banojnë në pesë rrethet e prekura rëndë të provincës Baghlan.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, shprehu ngushëllimet e tij për humbjen e jetëve dhe u zotua për të ofruar ndihmën e shpejtë.

“Kombet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në Afganistan po koordinohen me autoritetet de fakto për të vlerësuar me shpejtësi nevojat dhe për të ofruar ndihmë emergjente”,- tha shefi i OKB-së.

Zëvendëskryeministri i talebanëve, Abdul Ghani Baradar, ka udhëtuar në rajonin e prekur për të mbikëqyrur përpjekjet e ndihmës.

Ngjarjet ekstreme të motit si përmbytjet dhe thatësirat janë në rritje në Afganistan. Ekspertët fajësojnë krizën klimaterike. Pas disa dekadash luftërash dhe konfliktesh, vendi nuk ka asnjë mjet për të zbutur pasojat e ndryshimeve klimaterike.