Kryeministri shqiptar kërkon nga Athina shfuqizimin e “Ligjit të luftës” nga Greqia
2024-05-13 12:00:12

Kryeminsitri Edi Rama (Foto Atsh)

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar shfuqizimin e “Ligjit të luftës” nga Greqia, të cilin e konsideroi një absurditet që duhet të largohet nga tryeza e marrëdhënieve mes Greqisë dhe Shqipërisë, shkruan “Panorama”.

Gjatë një takimi të zhvilluar në kryeqytetin grek me diasporën shqiptare, kryemistri Rama tha: “Si ka mundësi që për dy vende që janë bashkë në NATO, kanë nënshkruar traktatin e miqësisë, mos të jetë shfuqizuar gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të 84 viteve më parë? Por, kam bindjen se nëse ka vullnet të mirë të gjitha mosmarrëveshjet zgjidhen pa pritur që të kalojnë edhe 84 vite të tjera”.

Pjesën më të madhe të takimit, kryeministri Rama ua kushtoi pëpjekjeve të emigrantëve shqiptarë në Greqi gjatë tre dekadave të fundit, duke thënë se shqiptarët në Greqi janë sot në shtëpinë e tyre të dytë, në Greqinë fqinje dhe mike.

“Faleminderit nga zemra për këtë mikpritje kaq prekëse, në këtë strehë kaq të madhe, që ju e bëtë të duket kaq e vogël”,- tha Rama.

Ky është takimi i parë në turin që kryeministri Edi Rama do të zhvillojë me diasporën shqiptare. Takimet e ardhshme do të zhvillohen me diasporën në Itali, Britaninë e Madhe dhe Gjermani. (Fatosi)