Prefekti i Korçës kërkon miradministrim të zonave të mbrojtura në prag të sezonit veror
2024-05-12 16:10:19

foto nga Atsh

foto nga Atsh

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole, u kërkoi të gjitha institucioneve përgjegjëse marrjen e masave të nevojshme për miradministrimin e zonave të mbrojtura në këtë prag të fillimit të sezonit veror, shkruan “ATSH”.

Në takimin e Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore, ku ishte e pranishme edhe drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, u ndanë mendime dhe ide sa i takon perspektivës së administrimit të zonave të mbrojtura, në kuadër edhe të risive që sjell ligji “Për Zonat e Mbrojtura”, i amenduar në fillim të këtij viti.

Gjatë takimi u diskutua për vendosjen e një ekuilibri të rishikuar midis zonave të mbrojtura dhe nevojës që kanë komunitetet dhe pushteti vendor për zhvillimin ekonomik të territoreve të tyre, si dhe për një riformulim e qartësim të aktiviteteve të lejuara në zonat e mbrojtura.

Po ashtu, u diskutua për disa problematika të konstatuara në zonat e mbrojtura, siç është prerja e paligjshme e pyjeve, nevoja për një menaxhim të plotë të mbetjeve, rivitalizimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore si asete që rrisin atraksionet turistike të qarkut, ndalimin e gjuetisë së paligjshme apo peshkimit abuziv në pellgun ujëmbledhës të Prespës apo Liqenin e Pogradecit, si dhe mobilizimin e çdo strukture për administrimin sa më efikas të situatave që krijohen nga zjarret.

“Synimi i hartimit të instrumenteve të tillë është nxitja e zbatimit të modeleve të qëndrueshme të zhvillimit ekologjik dhe ekonomik në zonat e mbrojtura apo parqet kombëtare, ruajtja e ekosistemit e diversitetit biologjik, si dhe reduktimi i presionit jo të qëndrueshëm apo abuziv mbi burimet natyrore”,- tha prefekti Jole. (Irma)