Mozaiku i Antigonesë, i hapur për publikun deri në fund të majit
2024-05-12 10:49:04

Mozaiku i Antigonesë (Foto/Atsh)

Mozaiku i Antigonesë (Foto/Atsh)

Mozaiku në Parkun Arkeologjik të Antigonesë tashmë është i vizitueshëm për publikun.

Mozaiku i Kishës Paleokristiane Antigone, me përmasa 7.8 x 3.8 metra dhe sipërfaqe 30 m2, daton në shek. VI, shkruan “ATSH”. 

Dyshemeja e altarit është e shtruar me mozaikë me pllakëza të kuqe, të bardha e të zeza. I gjithë mozaiku dhe panelet janë me bordura me një buzinë me motive floreale dhe gjeometrike. Paneli qendror paraqet imazhin e një qënieje njerëzore me kokën e një qeni apo ujku.

Në një postim në rrjetet sociale, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se hapja e mozaikut u bë e mundur përmes një bashkëpunim ndërinstitucional mes Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, për t’i dhënë publikut një mundësi më shumë, për t’u njohur me pasurinë e fondit të mrekullueshëm të mozaikëve që administrojnë sitet arkeologjike dhe muzetë. Mozaikët do të qëndrojnë të hapur deri në fund të muajit maj. (Irma)