Presidenti Begaj uroi për fitoren homologen e re maqedonase, ajo e falënderon në shqip
2024-05-11 17:15:58

Presidenti Begaj (Foto Rtsh)

Presidenti Begaj (Foto Rtsh)

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, uroi presidenten e sapozgjedhur të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e para grua në krye të shtetit.

Kreu i shtetit shqiptar shprehu bindjen se me zgjedhjen e saj si presidente maqedonase do të forcohen marrëdhëniet midis dy vendeve, përcjell “Panorama”.

Ai vuri në dukje se si vende anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe anëtare të ardhshme të Bashkimit Europian, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të jenë bashkëpunuese ashtu si dhe vetë shqiptarët në vendin fqinj.

“Urime Gordana Siljanovska-Davkova, e para grua e zgjedhur si presidente e RMV. Jam i bindur se së bashku do të forcojmë më tej marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira midis vendeve tona mike, si vende anëtare në NATO dhe anëtare të ardhshme në BE, për të cilën shqiptarët në RMV mbeten tërësisht të angazhuar”,- shkroi presidenti Begaj.

Presidentja e zgjedhur e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, dërgoi një mesazh falënderimi, të shkruar në gjuhën shqipe, ku ftoi presidentin shqiptar Begaj për bashkëpunim mes dy vendeve dhe për integrimin në BE.

“I nderuar president Begaj. Çelësi i integrimit europian të Ballkanit qëndron në zhvillimin e bashkëpunimit tonë rajonal. Ju ftoj së bashku të punojmë për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për integrimin tonë europian”,- shkroi Siljanovska Davkova. (Irma)