Holanda mbështet marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët
2024-05-10 15:17:34

Sekretari holandez i Shtetit Eric van der Burg (Foto Atsh)

Holanda dhe disa vende të tjera anëtare të Bashkimit Europian po punojnë për hartimin e një letre për t’i kërkuar Komisionit Europian të organizojë strehimin për azilkërkuesit në vendet joanëtare të BE-së, shkruan “ATSH”.

Nuk është e qartë se me cilat vende joanëtare të BE-së, Holanda dhe vendet e tjera anëtare të BE-së duan që Komisioni Europian t’i bëjë këto marrëveshje.

Sekretari holandez i Shtetit, Eric van der Burg, deklaroi se vendet e BE-së po kërkojnë zgjidhje shtesë për të forcuar kontrollin e tyre mbi emigracionin.

“Kjo është arsyeja pse jam në favor të vendeve që kërkojnë edhe zgjidhje jashtë kornizës së zakonshme, siç është marrëveshja që Italia bëri me Shqipërinë. Këto zgjidhje duhet, në çdo kohë, të jenë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe atë europian”, theksoi Eric van der Burg.

Azilkërkuesit mund të aplikojnë për azil në Bashkimin Europian, por do të duhet të qëndrojnë në një vend jashtë BE-së derisa të presin vendimin për aplikimin e tyre.

Azilkërkuesit që kanë shteruar të gjitha mjetet juridike mund të strehohen edhe në vendet joanëtare të BE-së deri në udhëtimin e tyre të kthimit.

Republika Çeke dhe Danimarka e kanë filluar këtë plan.

Ideja është e ngjashme me marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët.

Shqipëria, një vend joanëtar i BE-së, do të strehojë disa nga azilkërkuesit e shpëtuar në det me shpenzimet e Italisë, ndërsa autoritetet italiane përpunojnë kërkesat e tyre për azil.  (Irma)