Presidenti amerikan: Do të ndalojmë furnizimin me armë nëse Izraeli pushton Rafahun
2024-05-10 14:18:17

Presidenti amerikan (Foto Panorama)

Presidenti amerikan (Foto Panorama)

Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi Izraelin se SHBA-ja do t’i ndalojë furnizimet me armë, nëse ai nis operacion të madh tokësor në qytetin Rafah të Gazës.

“Nëse ata hyjnë në Rafah, nuk do t’i furnizojmë më me armët që janë përdorur historikisht për t’u marrë me Rafahun”,- deklaroi presidenti Biden gjatë një interviste televizive, citon “Panorama”.

Ai shtoi se do të vazhdojë të angazhohet që Izraeli të jetë i sigurt.

Por, pavarësisht kundërshtimit të fortë të SHBA-së, Izraeli duket se është gati për ta pushtuar në shkallë të plotë Rafahun.

Izraeli beson se në këtë qytet strehohen mijëra luftëtarë të grupit islamik palestinez, Hamas.

Ushtria e Izraelit ka bërë të ditur se fitorja kundër Hamasit është e pamundur pa marrë kontrollin e qytetit Rafah. Por, zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se operacioni në këtë qytet, ku popullsia është shtuar me refugjatë nga pjesë të tjera të Gazës, mund të çojë në numër të madh të viktimave civile.

I pyetur nëse Izraeli ka kaluar vijën e kuqe, ai u përgjigj: “Ende, jo”. (Irma)