Izraeli dhe Hezbollahu sulmojnë njëri-tjetrin me raketa e dronë
2024-05-10 14:59:50

Sulmet Izrael-Hezbollah (Foto Panorama)

Sulmet Izrael-Hezbollah (Foto Panorama)

Izraeli ka kryer sulme të ashpra ajrore në jug të Libanit dhe grupi militant shiit, Hezbollah, njoftoi se ka kryer sulme me dronë dhe raketa ndaj caqeve izraelite.

Sulmet izraelite kanë vrarë tre luftëtarë palestinezë të Brigadës Kuds, krahut të armatosur të lëvizjes së Xhihadit Islamik, bëri të ditur Hezbollahu, duke theksuar se po ashtu një luftëtar iu vra gjatë sulmeve, shkruan “Panorama”.

Konflikti mes Hezbollahut dhe Libanit ka nisur në tetor, paralelisht me luftën në Gaza. Shkëmbimi i zjarrit, pothuajse në baza ditore, ka detyruar dhjetëra mijëra persona në dy anët e kufirit të zhvendosen, teksa janë rritur shqetësimet se konflikti mund të përshkallëzohet në një luftë më të madhe mes dy armiqve.

Ushtria izraelite njoftoi se goditi struktura ushtarake dhe struktura të tjera që i përkisnin Hezbollahut, që mbështetet nga Irani, në tri lokacione në jug të Libanit, përfshirë edhe mbi 20 sulme ndaj caqeve të Hezbollahut në zonën e Ramjehit.

Hezbollahu njoftoi se sulmoi me dronë selinë ushtarake të Izraelit në qytetin kufitar të Jarait dhe goditi me raketa një kazermë në Biranit.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban bëri të ditur se Izraeli ka kryer sulme ajrore ndaj 28 qytetesh dhe fshatrash në jug të shtetit, që është bastion i Hezollahut.

Për shkak të tensioneve në kufi, 60.000 banorë në jug të Izraelit janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Ndërkaq, në Liban, afër 90.000 banorë janë zhvendosur për shkak të sulmeve izraelite.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, gjatë një vizite që bëri te trupat në veri të Izraelit, tha se misioni nuk ka përfunduar.

“Kjo verë do të jetë verë e nxehtë”, tha ai në një videomesazh të publikuar nga zyra e tij.

Ai tha se kërkohet ose një marrëveshje diplomatike apo një zgjidhje ushtarake në mënyrë që banorët në veri të Izraelit të mund të kthehen në shtëpitë e tyre, duke porositur ushtrinë që të jetë gati. (Irma)